“Me ma diktu mu çka shkruaj, s’ka shanc hiç” – Lirim Mehmetaj thotë se u kërcënua dhe iu kërkua ta largonte statusin për Fatos Gecin

Gazetari Lirim Mehmetaj ka deklaruar se është kërcënuar pasi ka refuzuar ta fshijë ose ta ndryshojë një postim kritik ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Fatos Geci. Duke folur në emisionin “Debat Plus”, Mehmetaj tha se pas publikimit të postimit ishte kontaktuar nga familjarë të Gecit, të cilët i kishin kërkuar ta largonte ose t’ia ndryshonte përmbajtjen.…

Lajme

12/10/2026 22:37

Gazetari Lirim Mehmetaj ka deklaruar se është kërcënuar pasi ka refuzuar ta fshijë ose ta ndryshojë një postim kritik ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Fatos Geci.

Duke folur në emisionin “Debat Plus”, Mehmetaj tha se pas publikimit të postimit ishte kontaktuar nga familjarë të Gecit, të cilët i kishin kërkuar ta largonte ose t’ia ndryshonte përmbajtjen.

Ai tha se pas refuzimit ishte kërcënuar dhe se rastin e kishte raportuar në Polici.

“Në mëngjes kam shkuar në Polici, e kam raportu rastin. Po me ma diktu çka shkruaj, nuk ka shansa”, ka deklaruar Mehmetaj.

Përplasja nisi pas një postimi të gazetarit lidhur me deklaratat e Fatos Gecit për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërkohë, Gani Geci kishte njoftuar për një takim pajtimi mes dy familjeve, të ndërmjetësuar nga deputeti Anton Quni dhe Fadil Hadërgjonaj. Sipas tij, palët ishin zotuar që të mos merreshin më me njëra-tjetrën përmes shkrimeve apo paraqitjeve televizive.

Megjithatë, Mehmetaj ka bërë të ditur se nuk do ta fshijë postimin e tij dhe se nuk do të lejojë që t’i diktohet se çfarë të shkruajë. /Lajmi.net/