Mehmetaj thotë se qeveria mori me qira pronën e babait të Veton Elshanit, publikon dokumentin

Gazetari Lirim Mehmetaj, ka nxjerrë një dokument ku shihet se Qeveria e Kosovës ka marrë me qira një objekt të babait të Zëvendës Komandantit për rajonin e Veriut, Veton Elshanit, përkatësisht për të vendosur zyret e Agjencisë Kosovare për Krahasim të Pronës në Pejë. Mehmetaj përmes një postimi në llogarinë zyrtare në Facebook, ka shkruar…

Lajme

19/01/2025 12:37

Gazetari Lirim Mehmetaj, ka nxjerrë një dokument ku shihet se Qeveria e Kosovës ka marrë me qira një objekt të babait të Zëvendës Komandantit për rajonin e Veriut, Veton Elshanit, përkatësisht për të vendosur zyret e Agjencisë Kosovare për Krahasim të Pronës në Pejë.

Mehmetaj përmes një postimi në llogarinë zyrtare në Facebook, ka shkruar se kjo agjenci atij i paguan 1 mijë e 649 euro në muaj, gjë për të cilën thotë se ka kontratë për së paku për 3 vite.

Mehmetaj tutje ka shtuar duke thënë se beson se kjo është si pasojë e afërsisë së Elshanit me pushtetin.

Ai po ashtu është shprehur se di dhe gjëra të tjera por se nuk do t’i tregojë këtë herë.

Postimi i plotë:

Qeveria merr me qira pronën e babait të zëdhënësit të Policisë për Veri, Veton Elshanit, 1 mijë e 649 euro në muaj – rreth 20 mijë euro në vit

Prejse e kam parë këtë Veton Elshanin kur befasisht filloi të flas si militant i Vetëvendosjes e pata ditur se diçka këtu vjen era.

Doli ashtu siç e mendova.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim tash e sa muaj që Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës në Pejë ta vendos në objekt të babait të Veton Elshanit, Sokolit.

Siç tregon kontrata, kjo agjenci atij i paguan 1 mijë e 649 euro në muaj. Kontrata është për së paku 3 vjet.

Përveç kësaj, agjencia duhet të paguajë edhe gjithë shpenzimet tjera përcjellëse.Plus, siç më kanë treguar, Agjencia më parë ka qenë në një objekt tjetër i cili edhe ka qenë më i lirë, por edhe kushtet e objektit kanë qenë më të përshtatshme.

Dhe, kjo s’është e vetmja që kam marrë vesh për Elshanin, po këtë herë po e lë më kaq.

Për besë katastrofë është kjo. Ti objektin jepe me qira, po mos u shndërro në militant o vëlla. /Lajmi.net/