Mefail Shkodra njëri nga të arrestuarit për fajde në Gjilan, Albert Malisheva ende në arrati
Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës kanë realizuar një aksion të gjerë policorë në luftim të fajdes. Nën pranga të policisë mbrëmë kanë rënë dy persona të dyshimtë, ndërsa një nga ta vazhdon të jetë në arrati. Lajmi.net mëson se personi i dyshuar në këtë rast i cili vazhdon të jetë në arrati është…

Lajme
Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës kanë realizuar një aksion të gjerë policorë në luftim të fajdes.
Nën pranga të policisë mbrëmë kanë rënë dy persona të dyshimtë, ndërsa një nga ta vazhdon të jetë në arrati.
Lajmi.net mëson se personi i dyshuar në këtë rast i cili vazhdon të jetë në arrati është Albert Rexhepi, në qytetin e Gjilanit i njohur si Albert Malisheva.
Malisheva është “fytyrë” e njohur në Gjilan, e mbi të gjitha për “luksin” e madh me të cilin jeton ndër vite.
E nën pranga të Policisë së Kosovës mbrëmë ka rënë edhe vëllai i tij.
I arrestuari tjetër në këtë rast është Mefail Shkodra.
Shkodra në profilin e tij në Facebook zgjedhte që kohë pas kohe të publikonte fotografi me figura të njohura politike në vend. Fotografi këto të cilat ishin realizuar në një ceremoni shtetërore të mbajtur më 2022.
Ndryshe Mefail Shkodra rezulton se ishte pronar i një biznesi për shit-blerje të veturave.
Biznesi në fjalë ishte regjistruar nën emrin “Autoo-Shkodra Sh.P.K”, në vitin 2018. Kjo bazuar në regjistrin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK
Por biznesi në fjalë ishte shuar pas disa muajsh.
Në njoftimin e mbrëmshëm nga Policia e Kosovës u bë e ditur se të dyshuarit kishin dëmtuar viktimën në vlerë mbi 600 mijë euro.
“Gjatë hetimit të këtij rasti janë arrestuar dy persona të dyshuar, një mbetet në kërkim policorë, si dhe janë gjetur prova se të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale të fajdes dhe detyrimit për të cilat janë hetuar.Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro.Gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve”,thuhej në njoftim.
Lajmi.net ka tentuar të marrë edhe një përgjigje nga Prokuroria në Gjilan për detaje më të hollësishme në lidhje me aksionin, por deri në momentin e publikimit përgjigje nuk ka pasur.
Mbetet të shihet nëse të njëjtëve do t’u caktohet masa e ndalimit dhe se Policia e Kosovës do të arrijë të vendosë nën pranga edhe të dyshuarin tjetër në këtë rast, që dyshohet se është njeriu kyçi këtij grupi.
Aksione të ngjashme Policia dje realizoi edhe në Pejë dhe në Prishtinë nga ku u arrestuan pesë persona ndërsa dëmi materiale ishte qindra-mijëra euro./Lajmi.net/