Media e ndryshuar! Sot të gjithë gazetarë

Preç Zogaj ishte ulur në të vetmen karrige të zyrës, përpara një tavoline të vjetër me makinën e shkrimit që trokiste nën gishtat e tij. Frrok Cupi qëndronte përkulur mbi tavolinën e dytë, që përbënte gjithë objektet e zyrës modeste.

Opinion

05/01/2016 10:50

Korrigjonte disa fletë me shkrim dore që vetëm zoti e di se si arrinte t’i lexonte. Njerëz kuriozë hynin e dilnin dhe pyesnin për gazetën, pa llogaritur Berishën, Pashkon e Imamin që kishin sjellë edhe përshëndetjet apo shkrimet e tyre. Këto janë pak a shumë imazhet që më janë ngulitur në kujtesë mëngjesin e datës 4 Janar 1991, 25 vjet më parë, kur së bashku me 3 studentë të tjerë, Ben Blushin, Armand Shkullakun dhe Dritan Kabën po ndihmonim në botimin e të parës gazetë opozitare në Shqipëri pas thuasje 70 vitesh, Rilindjen Demokratike. Gazeta doli të nesërmen dhe vështirë që në historinë e shtypit shqiptar një tjetër organ apo media të ketë pasur suksesin e saj. Rradhët përpara librarive ishin zgjatur ende pa gdhirë. Gazeta shtypi 60 mijë kopje dhe u shit në pak minuta. Numrin e dytë u shtyp në 100 mijë dhe brenda paradites nuk kishte asnjë kopje në treg. Shqiptarët ishin të etur për të vërtetën dhe gazeta po tentonte t’ua sillte atë.

Në këto 25 vite ka qëlluar të jem pjesë e themelimit të shumë gazetave apo mediave të tjera. Kam punuar në vende ku puna ishte kënaqësi dhe inspirim apo në vende ku shpesh shihej si betejë. 25 vite më parë nuk dinim thuajse asgjë për median. Mësuam duke punuar ose më mirë mësuam duke gabuar. Ditën që u ula për të shkruajtur reportazhin e numrit të parë të RD thuajse nuk e dija çfarë ishte gazetaria e vërtetë. Gazetarët që njihja ishin ata të rubrikave kulturore. Nuk dinim çfarë ishte politika dhe as si funksiononte ajo. Liria ishte i vetmi dimension që na ndihmoi dhe dëshira për t’i thënë gjërat ashtu siç qenë.

25 vjet më pas kam pyetur shpesh veten nëse e kemi kryer detyrën tonë ashtu siç duhet? Nëse kemi qenë aq të drejtë sa ditën e parë kur nisëm këtë profesion pa menduar që ky do të ishte profesioni i jetës!? Vështirë t’i jap kësaj pyetjeje një përgjigje të saktë. Difektet e shtypit janë sot difektet e gjithë shoqërisë shqiptare. Ka ecur krah për krah me gjithë pjesët e tjera të saj pa qenë as më e mira, por as më problematikja. Vetëm se sot ka një ndryshim të madh dhe ky është një ndryshim madhor. Sot nuk ka më monopol të shtypit.

Nuk ka editorë që zgjedhin të botojnë apo mos botojnë një lajm apo një koment. Padyshim që ka edhe të tillë, por nuk kanë më vlerë. Sot media ka një koncept shumë më të gjerë dhe më inovator.

Sot media është edhe YouTube ku gjithkush mund të postojë gjithçka. Dhe të gjithë ta shohin.

Sot media është edhe Facebook, edhe Tëitter, madje edhe Instagrami ku kushdo mund të postojë foto, shkrime, qëndrime apo denoncime. Pa e ndalur dot askush dhe pa i bërë presion.

Sot ka media on line të tipit jo klasik, pra blogje e portale që kanë më shumë lexues se sa mediat tradicionale. Dhe që padyshim ushtrojnë në opinionin publik shumë më tepër ndikim se sa mediat e kontrolluara.

Sot padyshim, edhe për hir të kësaj lirie dhe mungese editimi, ka shumë më tepër abuzim me median. Ka më shumë lajme false, shfryrje mërish dhe denigrime pa shkak. Ka më tepër vrer se sa dikur, por të gjitha këto janë pjesë e këtij ndryshimi të madh. E verteta nuk fshihet dhe ngjit, fallsiteti dhe shpifja japin kosto të përkohshme.

Teknologjia dhe interneti i kanë dhënë një tjetër kuptim sot medias, një kuptim që 25 vjet më parë, asnjë nga ne nuk mund ta parashikonte. E kanë bërë atë më të hapur dhe kanë kontribuar që gjithkush të ketë pjesën e tij në misionin e gazetarit. Por çdo gjë ka një fillesë. Dhe sa herë mundohem ta sjellë nëpër mend atë, kujtoj atë ditë të 4 Janarit 1991, kur pak njerëz u nisën të krijojnë gazetën e parë opozitare në Shqipëri. Për t’i dhënë zë atyre që kishin heshtur me dekada, por për t’i dhënë zë dhe forcë edhe atyre që do vinin më pas…

Nga Blendi Fevziu – marrë nga opinion.al

(Fotoja që shoqëron shkrimin është marrë nga një filmim i kameramanit Agim Buxheli mëngjesin e herët të 5 Janarit 1991 në shtypshkronjën ku sapo u botua gazeta RD)