​Me trajnerin e ri, Drenica hap zyrtarisht fazën përgatitore

FC Drenica ka nisur zyrtarisht përgatitjet për edicionin 2026/27, duke zhvilluar sot seancën e parë stërvitore nën drejtimin e trajnerit Jeton Mehmeti. Me këtë seancë, skuadra ka hapur fazën përgatitore për sezonin e ri, me synimin për të ndërtuar një ekip konkurrues dhe për të realizuar objektivat e vendosura nga klubi. Sipas njoftimit të klubit,…

Sport

16/07/2026 11:54

FC Drenica ka nisur zyrtarisht përgatitjet për edicionin 2026/27, duke zhvilluar sot seancën e parë stërvitore nën drejtimin e trajnerit Jeton Mehmeti. Me këtë seancë, skuadra ka hapur fazën përgatitore për sezonin e ri, me synimin për të ndërtuar një ekip konkurrues dhe për të realizuar objektivat e vendosura nga klubi.

Sipas njoftimit të klubit, futbollistët dhe stafi teknik kanë filluar punën me përkushtim, disiplinë dhe ambicie, duke u fokusuar në përgatitjen sa më të mirë për sfidat që i presin në edicionin e ri.

Në stërvitjen e parë ishte i pranishëm edhe kryetari i ri i klubit, Halim Bajraktari, i cili përshëndeti futbollistët dhe stafin teknik, duke u uruar suksese në rrugëtimin e ri. Ai shprehu besimin se, përmes punës, përkushtimit dhe unitetit, FC Drenica do të arrijë rezultate në përputhje me historinë dhe traditën e klubit.

Klubi shprehu optimizmin për një fillim të mbarë të sezonit, duke theksuar se synon të ndajë sa më shumë momente suksesi me tifozët e tij besnikë.