Më shumë armë hyjnë në Kosovë sesa konfiskohen

Armëmbajtja pa leje dhe përdorimi i tyre nëpër ahengje dhe “shenjëtari” vazhdon të mbetet shqetësim për qytetarët e Kosovës dhe për autoritetet vendore.

Lajme

03/05/2015 08:50

Derisa Policia ka konfiskuar mijëra armë pa leje gjatë viteve të fundit, numri i armëve që vazhdojnë të mbeten nëpër duart e qytetarëve është shumë i madh. Nga përdorimi i këtyre armëve dhe plumbat “rikoshet”, shpesh bien preh fëmijët nëpër shkolla, dasmorët, kalimtarët e rastit… Ndërsa raportohet se shumë armë të vogla janë prezente edhe tek nxënësit e shkollave të mesme.

Sipas një statistike, Policia e Kosovës ka konfiskuar në 12 vjetët e fundit 18,846 armë ilegale, ndërsa vetëm në vitin 2014 janë konfiskuar 1,318 armë dhe 37,211 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Sipas kryetarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ), policia nuk është që nuk konfiskon armë kur i gjen ato, por numri i armëve që hyjnë në Kosovë është edhe më i madh. Kufijtë porozë ndaj Shqipërisë, Serbisë e Malit të Zi bëjnë që armët të futen lehtësisht në Kosovë, ndërsa mungesa e sigurisë më të madhe bën që qytetarët të duan të kenë një armë afër vetes.  /Zëri/