“Me pushtet e të rrethuar me bodyguards” – Çitaku e PDK-së bën thirrje që qytetarët të lihen të qetë për të vendosur në zgjedhje

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku është deklaruar në konferencën për media. Çitaku si fillim tha se sot qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre themelore, demokratike të drejtën për të votuar  e për të vendosur drejtimin në komunat për 4 vitet e ardhshme. “9 orë nga hapja e votimeve dhe procesi zgjedhor po zhvillohet qetë…

Lajme

09/11/2025 16:12

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku është deklaruar në konferencën për media.

Çitaku si fillim tha se sot qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre themelore, demokratike të drejtën për të votuar  e për të vendosur drejtimin në komunat për 4 vitet e ardhshme.

“9 orë nga hapja e votimeve dhe procesi zgjedhor po zhvillohet qetë e pa incidente serioze. Kemi pranuar disa ankesa nga disa komuna të ndryshme në lidhje me rastet ku personat me nevoja të veçanta kanë pasur vështirësi të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës e këto shqetësime i kemi adresuar edhe në KQAZ. Mirënjohje sot për punën e komisionarëve, vëzhguzve e qytetarëve që po kontribuojnë për një ditë zgjedhore të rregullt e demokratike”.

“PDK sot është në garë në gjashtë komuna, në Prizren, Mitrovicë, Kaçanik në Klinë e në Dragash. Në secilën prej këtyre komunave qytetarët po e shprehin vullnetin e tyre për punë, zhvillim e përgjegjësi. Kemi marrë raporte të vazhdueshme nga ekipet tona lokale dhe dalja në votime është e mirë e në rritej nga ora në orë. Në shumë komuna pritet që në orët e pasdites pjesëmarrja të shtohet edhe më shumë. Prandaj ftoj qytetarët që ende nuk kanë votuar ta bëjnë këtë në tre orët e fundit, me qetësi, me dinjitet dhe me bindje sepse çdo votë ka rëndësi. Këto zgjedhje s’janë thjesht për një kandidat apo parti, por për mënyrën e qeverisjes në nivelin lokal. Kandidatët tanë janë afër qytetarëve, të përgjegjshëm e të përkushtuar për të shërbyer me përulësi prandaj jemi optimist kudo që garojmë. Çdo votë është një vendim për të ardhmen e sot është dita që përcakton katër vitet e ardhshme. Ftoj të gjithë akterët politikë dhe çdo person që mban përgjegjësi publike që sot të tregoj maturi e përgjegjësi duke mos kontribuar në asnjë formë në tensionimin e situatave në asnjë komunë të vendit, por përkundrazi t’u mundësojmë qytetarëve të votojnë lirshëm , qetë dhe në mënyrë plotësisht demokratike. Le të mbajmë këtë ditë demokratike deri në fund të saj me qetësi, korrektësi e me respekt ndaj secilit votues e pastaj sonte le të presim me besim rezultatin e zgjedhjeve”, tha Çitaku, shkruan lajmi.net.

“Për çdo zyrtar të lartë partiak zgjedhjet janë vendimtare e secili është e natyrshme të angazhohet për fitore, pro është shumë me rëndësi mënyra se si angazhohet një njeri. Pra të mos ketë intimidim e të mos ketë frikësim e abuzim të pushtetit. Pra njerëzit që janë të veshur me fuqi politike e institucionale duhet të jenë shumë të vëmendshëm se si e manifestojnë atë pushtet që e kanë. Ne kemi parë disa pamje jo të këndshme, kur një njeri incizohet nga një person i pushtetshëm e i rrethuar me bodyguards. Pra pamje jo të kënaqshme e që s’i shërbejnë demokracisë. Qytetarët të lihen të lirë të vendosin se për kë duan të votojnë. Këto janë zgjedhje komunale ku vendoset për drejtimin e komunave”, deklaroi Çitaku.

“Po besoj se e sqarova se njerëzit që kanë fuqi politike e vishen me petk institucionalë pushtet efektiv duhet të jenë shumë të kujdesshëm që të mos abuzojnë me resurset njerëzore, e qytetarëve t’ua lënë të lirë të vendosni vetë se për kë votojnë. Ne jemi shumë konfident për kandidatin që kemi e për listat garuese që kemi. Le të vendosin vetë për kë do të votojnë”./Lajmi.net/