Më pak turq drejt Malit të Zi, pas regjimit të vizave
Shtetasit e Turqisë që duan të udhëtojnë në Mal të Zi duhet të pajisen patjetër me vizë. Për t’u pajisur me vizë ata duhet të dorëzojnë dokumente personalisht në Ambasadën ose konsullatën e Malit të Zi në Turqi. Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Punëve…
Lajme
Shtetasit e Turqisë që duan të udhëtojnë në Mal të Zi duhet të pajisen patjetër me vizë. Për t’u pajisur me vizë ata duhet të dorëzojnë dokumente personalisht në Ambasadën ose konsullatën e Malit të Zi në Turqi.
Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme në pyetjen se sa kohë merr miratimi dhe lëshimi i vizës.
Pasojë e parë e regjimit të vizave, që hyri në fuqi më 30 tetor, është rënia e ndjeshme e numrit të udhëtarëve në linjat ajrore nga Turqia drejt Malit të Zi, thanë për REL-in nga aeroportet e Malit të Zi.
Në Shoqatën e Mërgimtarëve Malazezë në Turqi thonë për REL-in se regjimi i vizave nga ana e Malit të Zi ka shkaktuar befasi dhe zhgënjim.
Në shoqatë janë të vetëdijshëm se, për shkak të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Mali i Zi duhet ta harmonizojë gradualisht regjimin e vizave me vendet anëtare të BE-së, çka nënkupton edhe vendosjen e regjimit të vizave për Turqinë, por nuk e prisnin që kjo të ndodhte kaq shpejt.
“Na vjen keq që procesi u përshpejtua pas ngjarjeve të fundit në Mal të Zi. Mendojmë se ky hap mund të ishte bërë në një periudhë kalimtare më të qetë dhe më të arsyeshme, çka do të ishte në interes të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy popujve dhe dy shteteve”, tha për REL-in Adil Ozuzun, kryetari i Shoqatës së Mërgimtarëve Malazezë në Turqi.
Edhe Sead Shahman, kryetar i Lëvizjes Demokratike Boshnjake jashtëparlamentare (BDP), i cili së fundmi mori pjesë në takimin e diasporës malazeze në Turqi, thotë për REL-in se mërgimtarët janë të shqetësuar me regjimin e vizave.
“Mërgimtarët presin kushte më të favorshme për hyrjen në Mal të Zi, pra kthim në regjimin pa viza dhe përfitime të caktuara për veprimtarinë e tyre ekonomike në Mal të Zi”, tha ai.
Vendosja e regjimit të vizave pas një informacioni të pasaktë
Në Turqi, sipas të dhënave të shoqatave të mërgimtarëve, jetojnë rreth gjashtë mijë njerëz që kanë karta mërgimi mbi bazën e prejardhjes nga Mali i Zi.
Gjithashtu, vlerësohet se një numër shumë më i madh shtetasish turq kanë prejardhje nga Mali i Zi, rreth 250.000.
Shtetasit e Turqisë mund të udhëtonin pa viza në Mal të Zi deri më 30 tetor, kur Qeveria malazeze vendosi viza të përkohshme.
Shkak u bë plagosja e një qytetari të Podgoricës në një konflikt fizik me të huaj, për të cilët policia fillimisht njoftoi se ishin shtetas turq – gjë që më pas rezultoi të ishte informacion i pasaktë.
Më pas u regjistruan disa incidente kundër turqve, duke përfshirë sulme fizike, dëmtim të pronës së tyre dhe protesta kundër tyre.
Shtatë ditë më vonë, policia njoftoi se në përleshje kishin marrë pjesë shtetas të Azerbajxhanit.
Kjo nuk e ndryshoi vendimin e Qeverisë për vendosjen e regjimit të vizave për shtetasit e Turqisë.
Ozuzun: Mërgimtarëve t’u lejohet hyrja pa vizë
Shoqata e Mërgimtarëve Malazezë në Turqi është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet në Mal të Zi, duke kërkuar që të ruhet e drejta e hyrjes pa vizë për mërgimtarët.
Kryetari Adil Ozuzun thotë se Turqia e mbështet rrugën e Malit të Zi drejt BE-së dhe se deri në vitin 2027 Mali i Zi duhet ta zbatojë regjimin e vizave të harmonizuar me Brukselin, por ata presin përjashtime.
“Mendojmë se është e domosdoshme që të paktën personave që kanë kartë mërgimi t’u mundësohet hyrja pa vizë në Mal të Zi. Ata ruajnë lidhjen historike me atdheun dhe kontribuojnë aktivisht në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Malit të Zi dhe Turqisë”, nënvizoi ai.
Ai shtoi se ekzistojnë perceptime të gabuara për Turqinë, për shkak se është një vend kryesisht mysliman ose për shkak të paragjykimeve historike.
“Sot Turqia, në asnjë mënyrë, nuk përfaqëson forcë me ambicie pushtuese apo ndikim dominues. Këtë e theksojmë me sinqeritet dhe përgjegjësi”, tha ai.
Sipas tij, Mali i Zi në shumë aspekte ka më shumë nevojë për Turqinë sesa e kundërta.
Po ashtu, ai beson se Turqia, edhe pse e pakënaqur me regjimin e ri të vizave, do të mbetet e hapur për qytetarët e Malit të Zi, sidomos për trajtime mjekësore.
A do të vendosë Turqia viza për Malin e Zi?
Sipas të dhënave të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të Malit të Zi, gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, mbi një mijë pacientë u ekzaminuan ose u trajtuan në klinikat turke, me kosto rreth gjashtë milionë euro.
Në Mal të Zi momentalisht qëndrojnë rreth 13.400 shtetas turq, të cilët kanë themeluar afër dhjetë mijë kompani. Vitin e kaluar në Mal të Zi erdhën mbi 160.000 turistë nga Turqia.
Ambasadori i Turqisë në Mal të Zi, Baris Kalkavan, përmendi mundësinë që Turqia të vendosë viza për shtetasit e Malit të Zi, gjatë vizitës që bëri më 2 nëntor në një dyqan të dëmtuar të një shtetasi turk në Bar.
“A pres që të tërhiqet vendimi për futjen e vizave? Nëse nuk merren hapa të caktuar, pala jonë do të jetë e detyruar të ndërmarrë masa të caktuara. Në Turqi jetojnë 250.000 njerëz me prejardhje nga Mali i Zi. Ata do të duhet të mbajnë barrën e kësaj situate”, tha ai.
Ai kujtoi se investimet turke në Mal të Zi gjatë tetë muajve të parë të këtij viti kanë qenë 100 milionë euro.
Sipas tij, Turkish Airlines ka transportuar 250.000 udhëtarë në linjat me Malin e Zi në periudhën janar–gusht.
“Nëse kjo vazhdon [regjimi i vizave], nuk e di çfarë do të ndodhë me pacientët që trajtohen në Turqi dhe me malazezët që udhëtojnë përmes Turqisë në vende të tjera”, tha ambasadori.
Sead Shahman vlerëson se masat reciproke do të dëmtonin marrëdhëniet miqësore të dy vendeve.
“Kur shënojmë 146 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe krenohemi me partneritetet tona, do të përballemi me ftohjen e marrëdhënieve, që s’është mirë për asnjërën palë. Do të dëmtohen ekonomia dhe shërbimet, dhe kjo do të reflektohet në buxhet”, nënvizoi ai.
Rënie e numrit të udhëtarëve nga Turqia pas regjimit të vizave
Nga kompania aeroportet e Malit të Zi thanë për REL-in se kompanitë kryesore që transportojnë udhëtarë nga Stambolli, Air Montenegro dhe Turkish Airlines, nuk kanë anuluar fluturime deri tani, por numri i udhëtarëve ka rënë dukshëm.
“Që prej 30 tetorit – kur shtetasve të Turqisë u kërkohet vizë për të hyrë në Mal të Zi – vihet re rënie e ndjeshme në numrin e udhëtarëve. Kujtojmë se regjistrimin e shtetësisë së pasagjerëve e bën Policia Kufitare”, thanë nga Aeroportet.
Policia Kufitare nuk dha të dhëna për numrin e shtetasve turq që kanë hyrë në Mal të Zi pas futjes së vizave dhe cili është dallimi krahasuar me periudhën pa viza.
Gjithashtu, kompania ajrore me kosto të ulët, Pegasus, anuloi fluturimet ardhje-vajtje mes Ankarasë dhe Izmirit dhe Podgoricës deri më 29 nëntor.
Ata kanë ruajtur linjën Podgoricë – Sabiha Gökçen (Stamboll).
Aeroportet e Malit të Zi theksojnë se deri tani kanë pasur mbi 400.000 udhëtarë në trafikun ajror me Turqinë, që përbën rreth 15 për qind të trafikut total. REL