Më pak krime, më shumë armë të sekuestruara, ky është Raporti i Policisë së Prizrenit për vitin 2025

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka prezantuar raportin vjetor të punës për vitin 2025, në një takim zyrtar të mbajtur në prani të udhëheqësve të lartë të Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë. Në këtë takim morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm,…

Lajme

05/02/2026 18:11

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka prezantuar raportin vjetor të punës për vitin 2025, në një takim zyrtar të mbajtur në prani të udhëheqësve të lartë të Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë.

Në këtë takim morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Kolonel Fehmi Hoti, Drejtori i Departamentit të Rendit Publik, Nënkolonel Arbnesh Ajvazi, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, znj. Shpresa Emra, si dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, transmeton lajmi.net.

Takimin e hapi Drejtori Rajonal i Policisë në Prizren, Kolonel Faton Alija, i cili prezantoi objektivat strategjike dhe prioritetet kryesore të punës gjatë vitit 2025. Ai theksoi rëndësinë e ofrimit të sigurisë publike, forcimin e bashkëpunimit me qytetarët dhe forumet e sigurisë, zbatimin e Strategjisë së integruar të Policimit të drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi 2021–2025, rritjen e sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimin e aksidenteve, si dhe parandalimin dhe ndriçimin e veprave penale, me fokus të veçantë në luftimin e dhunës në familje.

Në raport u theksua se gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin 2024, në rajonin e Prizrenit është shënuar një ulje prej 2.7 për qind e numrit të veprave penale. Policia e Prizrenit ka realizuar gjithsej 914 operacione policore, ndërsa janë sekuestruar 152 armë zjarri, duke shënuar një rritje prej 23.6 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Po ashtu, u theksua rritja e nivelit të zbulueshmërisë së veprave penale dhe incidenteve, e cila në vitin 2025 ka arritur në 86 për qind, për dallim nga 81.8 për qind sa ishte në vitin 2024. Këto rezultate dëshmojnë për efikasitetin e Policisë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, sigurinë në shkolla dhe komunikacion, parandalimin e veprave penale si dhe menaxhimin e situatave emergjente.

Gjatë vitit 2025, në rajonin e Prizrenit janë regjistruar dy raste vrasjesh, për dallim nga viti 2024 kur nuk ishte shënuar asnjë rast i tillë. Megjithatë, u theksua se në këtë rajon prej vitesh nuk ka asnjë rast vrasjeje me kryes të pa zbuluar, duke dëshmuar profesionalizmin dhe efikasitetin e Policisë së Kosovës në ndriçimin e rasteve të rënda penale.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Kolonel Gazmend Hoxha, përgëzoi Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren për punën dhe angazhimin e treguar, duke theksuar nevojën për vazhdimin e përkushtimit në zbatimin e Strategjisë së integruar të Policimit të drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi. Ai theksoi se, pavarësisht sfidave me mungesë stafi dhe pajisjesh, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve profesionale dhe cilësore për qytetarët.

Në fund të takimit, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore dhe Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren falënderuan Policinë për bashkëpunimin e ngushtë institucional dhe angazhimin profesional. Gjithashtu, u ndanë mirënjohje për disa personalitete dhe bashkëpunëtorë, përfshirë ish-Drejtoreshën e Emergjencave në Komunën e Prizrenit, gazetarët Qazim Thaqi, Myrvete Axhami dhe Nuhi Salihu, si dhe eprorë policorë, për kontributin e tyre të veçantë./lajmi.net/