Më pak aksidente, masat e sigurisë japin efektin

Me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafik Policia e Kosovës (PK) ka ndërmarrë masa shtesë për përforcimin e shërbimeve në komunikacion në të gjitha akset rrugore.

Lajme

18/08/2014 11:47

Sipas të dhënave të policisë nga janari dhe në mars të këtij viti ka pasur rritje të numrit të aksidenteve me fatalitet për 66.67 për qind. Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha për Radio Kosovën se ndërmarrja e masave shtesë si dhe toleranca zero në trafik, ka bërë që në muajin korrik numri i aksidenteve me fatalitet të shënojë rënie, me minus 1.67 për qind. 

Njësitet policore të komunikacionit rrugor po ushtrojnë kontrolle të shtuara në të gjitha akset rrugore, si në ato urbane e po ashtu edhe në ato rajonale. 

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se angazhim i pandërprerë i Policisë së Kosovës në të gjithë territorin e vendit, ka të vetmin qëllim – ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, ruajtjen e jetës së qytetarëve si pjesëmarrësve në trafik, parandalimin e të gjitha llojeve të aksidenteve, e në veçanti të atyre me fatalitet. 

“Kemi filluar me implementimin e planit e quajtur Java e Sigurisë me zero tolerancë ndaj të gjithë shkelësve në trafik. Ky plan ka treguar rezultate pozitive”, thotë Kelani. 

Duke marrë parasysh periudhën janar-korrik 2013 dhe të njëjtën periudhë të këtij viti, në total është bërë një ulje e aksidenteve, diku me 16.99 për qind, falë angazhimit të planeve shtesë të policisë, shprehet Kelani.  

“Edhe pse kemi shtuar masat, ne nuk jemi të kënaqur me statistikat e prezantuara, për shkak se edhe vetëm humbja e një jete në trafik për policinë, është shqetësuese dhe brengosës në trafik”, shton Kleani. 

Në autostradën e kombit “Ibrahim Rugova”, respektivisht ne pjesën kosovare nuk ka pasur shtim të rasteve me fatalitet, kurse nga pjesa e Shqipërisë, gjatë javëve të fundit, ka pasur qytetarë kosovarë që kanë humbur jetën në aksidente fatale, shprehet Kelani. Ndryshe, Policia e Kosovës, përveç angazhimeve dhe planeve të pandërprera, vazhdon me realizimin dhe publikimin e broshurave të shumta dhe video-spoteve që kanë për qëllim vetëdijesimin e opinionit të gjerë për sigurinë në trafik.