Me mëngjes rifilluan luftime në Kumanovë

Në orën shtatë të mëngjesit të sotëm sërish kanë filluar të shtënat e fuqishme me armë të kalibrit të rëndë në qytetin e Kumanovës. Grupi i armatosur pohon se në mesin e pjesëtarëve të tij nuk ka të vdekur por vetëm dy të plagosur

Lajme

10/05/2015 08:21

Situata  është e tensionuar dhe po vazhdon prania e shtuar policore, kryesisht e përbërë nga njësitet speciale.

Si njofton agjencia e lajmeve INA, zhurmat e helikopterëve të shumtë të policisë dhe ushtrisë kanë zgjuar nga gjumi edhe banorët e qytetit të Shkupit. Nuk dihet akoma nëse ata janë nisur për në Kumanovë.

Lidhur me këtë ngjarje dhe konfliktin e armatosur ka të dhëna kontradiktore. Përderisa ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska mbrëmë në një konferencë të jashtëzakonshme deklaroi se grupi i armatosur i është dorëzuar policisë, të dhënat në terren konfirmojnë të kundërtën.

Pjesëtarë të këtij grupi gjithashtu kanë deklaruar për mediat se Qeveria e Maqedonisë ka përhapur dezinformata se janë arrestuar pjesëtarë të UÇK-së.

“Këtë situatë e ka inskenuar shteti maqedon, për arsye se ata e humbën luftën në ora 11:00. Për t’u nxjerr me fitore kanë vazhduar me popullatë, e për t’i mbuluar vrasjet e tyre në popullin civil i kanë paraqitur si UÇK edhe civilët. Kështu që nga pjesëtarët e UÇK-së s’ka as të vrarë as të dorëzuar, veç të plagosur dy persona dhe askush tjetër”, ka thënë një pjesëtar i këtij grupi.

Sipas tij, “beteja” e Kumanovës i është dedikuar “Komadantit Harun Aliu, që u vra pesë vite më parë me Xhafer Shalën në Radushë të Shkupit”.

“Kjo luftë ka pasur me ndodhë me datën 12, pikërisht në datën kur u vra Komadant Harun Aliu në Radushë të Shkupit”, ka thënë ai.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë konfirmuar zyrtarisht se deri më tani janë vrarë pesë policisë dhe 30 të tjerë janë plagosur. MPB nuk ka konfirmuar të dhëna lidhur me vrasjen e pjesëtarëve të këtij grupi dhe të civilëve. (INA)