“Me Liridonën kishim marrëdhënie të mirë – nuk kam qenë në veturë kur ka ndodhë vrasja” – Çka tha sot Naim Murseli në seancë?

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për planifikimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023. Gjatë seancës, i akuzuari Naim Murseli mohoi përfshirjen në vrasje, duke deklaruar se nuk ka pasur marrëveshje për vrasjen e bashkëshortes së tij dhe se…

Lajme

29/01/2026 12:56

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për planifikimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

Gjatë seancës, i akuzuari Naim Murseli mohoi përfshirjen në vrasje, duke deklaruar se nuk ka pasur marrëveshje për vrasjen e bashkëshortes së tij dhe se në momentin e krimit nuk ka qenë në makinë së bashku me fëmijët, raporton lajmi.net

“Iu betohem në dy fëmijë që i kam që Naim Murseli as në makinë s’ka qenë në momentin kur është vrarë Liridona. As unë as fëmijet, ju betohem. Kjo është e  vetmja e vërtetë. Ajo që e thotë prokuroria është shpifje”, ka thënë Murseli.

Ai gjatë dëshmisë së tij tha se marrëdhënia mes tyre ka qenë shumë e mirë, ndërsa ka thënë se Liridona ishte nënë e mrekullueshme.

“Kemi pasë 11 vite martesë me Liridonën, si rezultat kemi dy fëmijë dhe marrëdhënia ime me Liridonën ka qenë shumë e mire. Ka qenë një grua e mrekulleshme, nënë e përkushtuar dhe shumë e devotshme. Liridona kishte shumë dëshirë të bëhet nënë dhe kishte probleme me mbetë shtatzënë, por më pas na u realizua ëndrra ajo u bë nënë dhe unë u bëra babë. Çdo gjë ka qenë në rregull mes neve”, tha Murseli në Gjykatë, duke iu përgjigjur pyetjeve së avokatit të tij Shemsedin Piraj.

Ai tha se kanë jetuar në Suedi, derisa tani e ndjera pas tri vitesh qëndrimi atje, është bërë shtetase suedeze. Tha se asnjëherë s’kanë pasur ndonjë ndarje dhe se gjithçka ishte në rregull mes tyre.

Murseli tha se edhe vëllai i tani të ndjerës, Leonard Ademaj, ka treguar se Liridona nuk është ankuar asnjëherë për ndonjë gjë në lidhjen mes tyre.

“Asnjëherë në jetën time, larg qoftë me ushtru dhunë apo diçka e tillë. Ato gjëra nuk kanë ekzistu në lidhjen tonë”, tha Murseli.

I akuzuari tha se të ardhura financiare kishin mjaftueshëm, ngase kishin një restaurant dhe një kompani pastrimi bashkë me bashkëshorten. Sipas tij, të hyrat vjetore të tij ishin diku 45 mijë euro, ndërkaq të Liridonës afër 20 mijë.

Murseli tha se është marrë edhe me investime online, shërbime të marketingut online për biznese.

I pyetur lidhur me polisën e sigurimit, ai tha se secili shtetas i Suedisë e ka sigurimin shtëpiak dhe jetësor, e në këtë rast e kishin edhe ai e Liridona, në të njëjtën shumë.

“Ajo shumë 3 milionë kruna, 260 mijë euro, nuk është shuma maksimale e polisës. Ajo mund të rritet deri në 600 mijë euro, nëse pala ka interes”, tha Murseli.

Ai theksoi se nuk mund të hapë polisë për dikë tjetër, pa qenë personi prezent, ngase është individuale.

Lidhur me raportin me tani të ndjerën, ai tha se sikurse secili çift, kanë pasur ndonjëherë grindje por jo deri në ftohje maksimale të marrëdhënies.

Murseli tha se krahas bizneseve në Suedi, ka pasur biznes edhe në Kosovë, ku është aksionar në një të tillë. Tha se bashkë me tani të ndjerën kanë blerë shtëpi më 2023 në Kosovë.

Tutje trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Fatime Dermaku, shqyrtoi disa kërkesa të mbrojtjes për prova shtesë.

Gjyqtarja Dermaku tha se mbrojtësit e të akuzuarit Naim Murseli, avokatët Shemsedin Piraj dhe Teuta Zhinipotoku, kanë kërkuar rikonstruimin e vendit të ngjarjes.

“Avokati i të akuzuarit, Kushtrim Kokalla Ndrec Doda ka propozuar dëgjimin e dëshmitarit Tafil Kokalla në cilësi të dëshmitari, ndërsa me  23 janar 2026 mbrojtësi i të akuzuarit, Granit Plava, Skender Gojani ka parashtruar kërkesë me të cilën ka kërkuar nxjerrjen e një ekspertize shtesë lidhur me gjendjen psikike të Granit Plava në kohën e kryerjes së veprës penale, si dhe më 27 janar 2026 mbrojtësit e të akuzuarit, Naim Musreli avokatit Teuta Zhinipotoku dhe Shemsedin Piraj kanë parashtruar kërkesë me të cilën kanë kërkuar të bëhet rikonstruiimi i vendit të ngjarjes të shtjellohet si provë CD komunikimi i tij mes të akuzuarit dhe fëmijëve të tij  si dhe kërkohet hartografia e telefonave që janë marr në ditën kritiken”, tha ajo.

Mbrojtja e Kushtrim Kokallës kërkoi dëgjimin e një dëshmitari të ri, ajo e Granit Plavës kërkoi ekspertizë shtesë psikiatrike, ndërsa mbrojtja e Murselit kërkoi rikonstruktimin e vendit të ngjarjes dhe administrimin e disa provave teknike.

Prokuroria kundërshtoi këto kërkesa, duke theksuar se janë paraqitur jashtë afatit të caktuar nga gjykata. Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar e kundërshtoi rikonstruktimin, duke e cilësuar si zvarritje të procedurës.

Gjykata i refuzoi të gjitha propozimet e mbrojtjes për plotësim të provave, me arsyetimin se nuk janë relevante, janë të pabazuara ose nuk kontribuojnë në sqarimin e çështjes, si dhe në funksion të efikasitetit të procedurës.

Sipas raportit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Murseli dhe Plava nuk kanë pasur çrregullime mendore në kohën e kryerjes së veprës. Ndërkohë, në seancën fillestare, Murseli ishte deklaruar i pafajshëm, Plava nuk ishte deklaruar për fajësinë, ndërsa Kokalla kishte rezervuar deklarimin. I akuzuari Tom Dodaj, i cili kishte pranuar fajësinë për shitjen e armës, është dënuar përfundimisht nga Apeli me 3 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se kishte organizuar vrasjen për motive familjare, duke rënë dakord me Plavën që kjo e fundit të kryente krimin kundrejt pagesës prej 30 mijë eurosh, ndërsa arma e përdorur ishte siguruar nga Dodaj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës./Lajmi.net/