Me këtë emigrim masiv s’ka liberalizim të vizave

Ambasadori i Kroacisë në Kosovë, shtet i posa anëtarësuar në Bashkimin Evropian, në një ligjëratë me studentë të AAB-së, ka thënë se emigrimi masiv i kosovarëve, kohëve të fundit, bën që të shtyhet edhe më tej procesi i liberalizimit të vizave. 

Lajme

20/12/2014 17:59

Ambasadori, Zoran Vodopija, ka thënë se Kosova duhet të ndjekë rrugën kroate të pranimit në organizmat evropian. Ai ka premtuar mbështetje në këtë drejtim dhe ka thënë se pranimi i Kosovës në KON,është kontribut edhe i Kroacisë.

Kosova duhet të ndjek shembullin e Kroacisë, të pranimit në organizmat evropian siç janë Këshilli i Evropës, OSBE, NATO e Bashkimin Evropian.

Kështu ka thënë ambasadori i Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija. Por ai ka shtuar se vala e madhe e emigrimit të kosovarëve do t’i vështirëson këto procese, që sipas tij duhet ta shqetësojë më tepër klasën politike dhe mediat e vendit.

Vodopija, gjatë një ligjërate me temën “Politika e jashtme kroate” të mbajtur për studentët Arsimit të AAB-së, në Prishtinë, ka thënë se Kroacia do ta loboj për pranim në organizata ndërkombëtare,sikur  se e ka bërë për pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON).

“Kroacia është lobues i Kosovës në çdo organizëm ndërkombëtar. Pranimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar është edhe kontribut i Kroacisë”, citohet të ketë thënë ai.

Përmes një komunikate për medie njoftohet se ambasadori Vodopija ndër sfidat e politikës së jashtme kroate ka përmendur ndikimin në rritje e sipër dhe Rusisë.

“Rusia ka ndikim të madh në Serbi për shkak të lidhjeve tradicionale, por nuk është pa ndikim edhe në vendet e tjera të rajonit. Rusia ka blerë gjysmën e Malit të Zi, ka ndikim të fuqishëm në pjesën serbe të Bosnjës dhe në Maqedoni, dhe po mundohet që të jetë prezentë edhe në Kroaci në industrinë e naftës dhe në banka”, citohet të ketë thënë ai.