Me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarit Pantiq, shtyhet gjykimi për krime lufte
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Momir Pantiq, avokatit Millosh Deleviq, është shtyrë seanca e së mërkurës në rastin ku Pantiq si ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, dhe ish-polici Zharko Zariq, akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile. Sipas planifikimit të kësaj Gjykate, në radhë për dhënien e dëshmisë…

Lajme
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Momir Pantiq, avokatit Millosh Deleviq, është shtyrë seanca e së mërkurës në rastin ku Pantiq si ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, dhe ish-polici Zharko Zariq, akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile.
Sipas planifikimit të kësaj Gjykate, në radhë për dhënien e dëshmisë para trupit gjykues ishte dëshmitari Nexhmedin Pepaj.
Ndërsa, kërkesën për shtyrje e ka bërë avokati Deleviq, me arsyetimin se dje ka pranuar procesverbalin e seancës së kaluar, andaj sipas tij nuk është i gatshëm ta marrë në pyetje dëshmitarin.
Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Valon Kurtaj ndërpreu seancën e sotme dhe të radhës e caktoi për një datë tjetër.
Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.
Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.
Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut./BetimipërDrejtësi