Me çanta shpine dhe 30 euro në ditë: Nga Brazili në Indi përmes Ohrit e Shkupit
Ata lanë punën e tyre, shitën gjithçka që mundën dhe me një buxhet të kufizuar dhe entuziazëm të pakufizuar, brazilianët Edra dhe Gabrieli u nisën për një udhëtim rreth botës. Në mënyrë që udhëtimi që i çoi në Maqedoninë e Veriut të zgjasë sa më shumë, ata angazhohen të kultivojnë patate, kujdesen për delet, lajnë…
Lajme
11/08/2024 17:32
Ata lanë punën e tyre, shitën gjithçka që mundën dhe me një buxhet të kufizuar dhe entuziazëm të pakufizuar, brazilianët Edra dhe Gabrieli u nisën për një udhëtim rreth botës. Në mënyrë që udhëtimi që i çoi në Maqedoninë e Veriut të zgjasë sa më shumë, ata angazhohen të kultivojnë patate, kujdesen për delet, lajnë enët, në këmbim të akomodimit dhe ushqimit.
A jeni çmendur ju dy?
Kjo ishte një nga pyetjet që disa miq ia bënë çiftit brazilian Edra Stock dhe Gabriel Foz kur këta dy u thanë se donin të udhëtonin nëpër botë me pak para dhe shumë ndalesa auto-stop. Aventura që nisi në mars të këtij viti dhe nuk dihet se kur do të përfundojë, i çoi ata në Shkup dhe Ohër këtë verë.
Edra, 32-vjeçare, me profesion stomatologe, ka punuar edhe si mësuese e gjuhës portugeze. Ndërsa Gabrieli, 36-vjeçar, është specialist marketingu. Ata janë bashkë prej dhjetë vjetësh dhe të martuar janë që shtatë prej tyre.
“Ka qenë gjithmonë ëndrra jonë të shkojmë në vende që nuk janë aq të zakonshme për ne në Brazil. E kuptuam që po plakemi, kështu që ishte koha për të bërë diçka të tillë. Nëse jo tani, kur?”, tha Edra gjatë bisedës për Radion Evropa e Lirë.