“Me bomba, pa bomba” opozita kërkon nga LVV të gjejë zgjidhje për situatën në Kuvend
Zyrtarë të shumtë të Policisë së Kosovës, ishin vendosur përreth Kuvendit, pak para nisjes së seancës së radhës. Këto masa u panë në seancën pas asaj që zgjati më shumë, si rezultat i alarmit që rezultoi të jetë i rremë për prezencën e një bombe në objektin e legjislativit. Pashmangshëm, kjo çështje u përfshi edhe…

Lajme
Zyrtarë të shumtë të Policisë së Kosovës, ishin vendosur përreth Kuvendit, pak para nisjes së seancës së radhës.
Këto masa u panë në seancën pas asaj që zgjati më shumë, si rezultat i alarmit që rezultoi të jetë i rremë për prezencën e një bombe në objektin e legjislativit.
Pashmangshëm, kjo çështje u përfshi edhe në deklarimet e deputetëve para se të hynin në seancë.
“Shpërndarja e Kuvendit vjen kur dështon Kuvendi me zgjedh qeveri, jo kur dështon me konsistu vetveten sepse kjo është problem i partisë së parë, nuk është problem as i individit as i deputetit, por është bukfalisht çështje e partisë së parë, liderit të partisë së parë me gjetë mënyrë dhe formë për të ndërtuar një marrëveshje politike. Nuk mundesh edhe procedurë edhe marrëveshje politike, edhe deputet edhe ministër, edhe me bomba edhe pa bomba, nuk funksionon kjo situatë”, deklaroi Lutfi Haziri.
Derisa Haziri tha se i takon Lëvizjes Vetëvendosje që të gjejë një zgjidhje për marrëveshje politike, Rashit Qalaj nga PDK tha se nuk e mbështesin Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
“Jemi deklaruar të gjithë, nuk votohet Albulena Haxhiu, nuk kalon me votat e PDK-së… Vetëm ata që kanë qenë në kabinetin qeveritar nuk votohen, janë edhe shumë opsione tjera dhe me dëshirë i kishim votuar”, deklaroi Rashit Qalaj – Deputet i PDK-së
E pyetur për pasojat ligjore për shkak të moszbatimit të vendimit të Kushtetuese, Mimoza Kusari Lila tha se pasojat mund të shkojnë deri në marrje të mandatit të deputetëtve.
“Jemi të vetëdijshëm që pasojat juridike mund të pasojnë pas kalimit të këtij afati, nuk ka ndodhur ende që në një legjislaturë të merret mandati i gjithë deputetëve të kuvendit, por janë 120 deputetë të legjislaturës së nëntë, të cilëve të gjithëve mund të ju merret mandati, për të ju përcjellë pastaj me deputetë tjerë që janë në listë të gjitha partive politike. Kjo mund të jete njëra prej pasojave të mundshme”, deklaroi Mimoza Kusari Lila- Deputete e LVV-së.
Ndërkohë që Albulena Haxhiu kandidate për kryetare të Kuvendit, ka përsëritur qëndrimin e saj se do të tërhiqet nga kandidatura nëse nuk merr votat e mjatueshme, në votimin e fshehtë./dukagjini