Më afër krijimit të institucioneve të reja të Kosovës apo zgjedhjeve të parakohshme?
Formimi i institucioneve të reja vazhdon të jetë i varur nga gatishmëria e partive politike për të bashkëpunuar me njëra tjetrën derisa nuk janë përjashtuar as zgjedhjet e parakohshme. Por njohës të procesit zgjedhor e shohin si mundësi më të afërt arritjen e një zgjidhje për formimin e institucioneve sesa edhe një palë zgjedhje. Barrikadimi…

Lajme
Formimi i institucioneve të reja vazhdon të jetë i varur nga gatishmëria e partive politike për të bashkëpunuar me njëra tjetrën derisa nuk janë përjashtuar as zgjedhjet e parakohshme. Por njohës të procesit zgjedhor e shohin si mundësi më të afërt arritjen e një zgjidhje për formimin e institucioneve sesa edhe një palë zgjedhje.
Barrikadimi i partive politike në qëndrimet e tyre rreth bashkëpunimit për formimin e institucioneve të reja ka shtuar pikëpyetjet nëse do të kemi një zgjidhje për situatën e krijuar apo vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Sipas Institutit Demokratik të Kosovës vendi është më afër krijimit të një qeverie sesa zgjedhjeve të parakohshme.
Hulumtuesi Vullent Bugaqku përmend praktikën e peshkimit të deputetëve e cila sipas tij, do të mund të çonte në sigurimin e numrave për Vetëvendosjen për krijimin e Qeverisë.
“Unë besoj se do ta kemi një qeveri, nuk e përjashtoj mundësinë e lëvizjes të ndonjë deputeti si dhe mundësinë e votimit të qeverise nga ndonjë deputet i partive të tjera prodhimi zgjedhjeve të parakohshme do të kishte disa pasoja… në rast se brenda 60 ditëve nuk krijohet qeverie atëherë do të krijoheshin kushtet optimale që presidentja të lëvizë, të shpërbehet kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje. Certifikimi është vonuar se kemi luksin të presim gjatë”, Bugaqku për rtv21.
Edhe drejtori i Oda Consulting, politologu Erblin Hoxha e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, pasi sipas tij, formimi i një qeverie është i mundshëm.
“Nuk ka arsye të shkojmë në zgjedhje, me këto rezultate presim të kemi lëvizje të deputetëve”, tha Hoxha.
Deri më tani partitë opozitare i kanë vënë vija të kuqe bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa kjo e fundit është shprehur e bindur se do ta formojnë Qeverinë vetëm me pakicat joserbe.