Më 24 maj, 100 mijë vullnetarë për pastrimin e mbeturinave

Iniciativa “Ta pastrojmë Kosovën” deri më tani ka identifikuar gjithsej 327 deponi mbeturinash në mbarë Kosovën. Por, kjo iniciativë është në fazën përgatitore për aksionin e 24 majit, me të cilën synohet mobilizimi i 100 mijë vullnetarëve për të ngritur vetëdijen për mbrojtjen e ambientit dhe asgjësimin e deponive ilegale të mbeturinave.

Lajme

29/04/2014 00:41

Lansimi i kësaj fushate do të bëhet me 9 maj, në fshatin Vllahi të Shalës së Bajgorës.

Siç njofton kjo iniciativë, në vazhdën e organizimit të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën” kanë filluar takimet me kryetarët e komunave, koordinatorët e grupeve lokale, përfaqësuesit e ambasadave të huaja në Kosovë, si dhe me mbështetësit e tjerë të projektit.

Projekti ndër të tjera gëzon mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Ministrisë së FSK-së, Ambasadës Norvegjeze, po ashtu të Raiffeisen Bank, Pro Credit Bank, UNDP, Meridian Corporation e shumë e shumë mbështetës të tjerë, transmeton KosovaPress.

Iniciativa u bën thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen iniciativës në mënyrë që  vendit t’i jipet një frymë e re dhe e pastër.