McCain propozon “strategjinë për sukses” në Afganistan
Senatori republikan i Shteteve të Bashkuara, John McCain, ka propozuar një “strategji të re të suksesit” për Afganistanin, e cila përfshin rritjen e forcave kundërterrorizmit në vendin e shkatërruar nga lufta, të cilat do t’ju jepnin më shumë hapësirë ushtarëve për të targetuar, talibanët, grupin ekstremist, Shteti Islamik dhe grupe të tjera të ngjashme.
Bota
McCain, njihet si kritik i hapur i politikës së presidentit Trump, në këtë rajon, pasi sipas tij, Shtetet e Bashkuara, kanë qenë “nën mëshirën e fatit” në Afganistan.
“Zbatimi i strategjisë së re për të siguruar interesat e vendit tonë në Afganistan, është një nga vendimet më të rëndësishme, i cili duhet diskutuar brenda qeverisë sonë. Mirëpo na duhet ta pranojmë: Jemi duke humbur në Afganistan, andaj tani është koha për ta ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve”, ka thënë McCain, përmes një deklarate në faqen e tij zyrtare.
Trump u ka rezistuar rekomandimeve nga Pentagoni për rritjen e trupave amerikane në Afganistan.
Aktualisht McCain është duke u trajtuar nga një kancer i llojit të rrallë në tru, mirëpo ai ka thënë se do të kërkojë votë për strategjinë e tij kur Senati të kthehet në shtator.