Mbyllja e Tik Tok në Shqipëri, Berisha thërret protestë kombëtare
Kryedemokrati Sali Berisha thërret protestë kombëtare pas mbylljes së platformës TikTok. Ish-kryeministri kundërshtoi vendimin e mbylljes së platformës për 12 muaj, raporton TCH. “Sot në kulmin e fushatës elektorale, narkopadrinoja i Shqipërisë, Toto Rino apo El Çapo, njoftoi vendimin e narkoqeverisë së tij për ndalimin e TikTokut për 12 muaj. Me këtë akt censure të mbi…

Lajme
Kryedemokrati Sali Berisha thërret protestë kombëtare pas mbylljes së platformës TikTok.
Ish-kryeministri kundërshtoi vendimin e mbylljes së platformës për 12 muaj, raporton TCH.
“Sot në kulmin e fushatës elektorale, narkopadrinoja i Shqipërisë, Toto Rino apo El Çapo, njoftoi vendimin e narkoqeverisë së tij për ndalimin e TikTokut për 12 muaj. Me këtë akt censure të mbi 1 milion përdoruesve të TikTokut në Shqipëri, Edi Rama rreshton Shqipërinë me Afganistanin dhe Iranin. Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij. TikTok është një platformë komunikimi, e cila ka pushtuar sot, ka pëlqimin masivisht të të rinjve në Shqipëri dhe në botë. Të pretendosh se po ecën drejt Europës dhe të rreshtosh Shqipërinë me Iranin, Afganistanin, Somalinë, bën një akt monstruoz kundër fjalës së lirë, një censurë dhe dëshmon se udhëtimi evropian i Shqipërisë është një hipokrizi për ty”, tha Berisha.
Ai rikujtoj se zëvendëspresidenti i SHBA, JD Vance, në fjalën e tij në Mynih, konsideroi mbylljen e medieve sociale si një antivlerë shumë të rrezikshme për shoqëritë e lira, fjalën e lirë dhe mendimin e lirë.
“T’u heqësh shqiptarëve të drejtën e përdorimit të TikTokut dëshmon se çfarë arbitrariteti. Ripërsërit ekzakt atë që bënte Enver Hoxha, Spiro Koleka, Kristaq Rama gjatë diktaturës, të cilët valëve të radios dhe televizioneve perëndimore u vinin zhurmues në të katër anët e vendit. Me këtë rast ftoj të gjithë gjimnazistët, të gjithë të rinjtë, të gjithë qytetarët të nisim betejën për çlirimin e TikTokut dhe përmbysjen e narkodiktatorit”, përfundoi ai.
Me datën 15 mars protestë e përgjithshme kombëtare në sheshin ‘Skënderbej’ para kryeministrisë. Një protestë në të cilën kërkohet anulimi i menjëhershëm i vendimit për censurën dhe bllokimin e TikTokut.