Mbyllja e qendrave për punë sociale në veri, qeverisë të veprojë në koordinim me aleatë
Qeverisë së Kosovës po i kërkohet të koordinohet me aleatë ndërkombëtarë sa i përket veprimeve në veri të Kosovës. Një ditë pas reagimit të ShBA-së dhe Bashkimit Evropian, kundër mbylljes së katër objekteve të qendrës serbe për punë sociale në veri, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se ekzekutivi duhet të jetë më i kujdesshëm dhe…

Lajme
Qeverisë së Kosovës po i kërkohet të koordinohet me aleatë ndërkombëtarë sa i përket veprimeve në veri të Kosovës.
Një ditë pas reagimit të ShBA-së dhe Bashkimit Evropian, kundër mbylljes së katër objekteve të qendrës serbe për punë sociale në veri, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se ekzekutivi duhet të jetë më i kujdesshëm dhe mos të thellojë dëmtimin e raporteve me aleatë, veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në anën tjetër, në ekzekutiv nuk kanë kthyer përgjigje, në lidhje me reagimin e ShBA-së dhe BE-së, kundër mbylljes së objekteve të qendrës serbe për punë sociale.
Autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur të premten katër objekte të Qendrës për punë sociale, të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb për shkak të dyshimit, siç është thënë se aty janë kryer veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor.
Në lidhje me këtë vendim, Ambasada e ShBA-së në Kosovë, tha se i njëjti ndikon negativisht në marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve. Ndërkaq, në Bashkimin Evropian kërkuan që statusi i këtyre strukturave të diskutohet në dialogun e Brukselit, mes Kosovës dhe Serbisë.
Për të shmangur thellimin e dëmtimeve të raporteve me aleatë, politologu, Albinot Maloku, thotë për KosovaPress, se qeveria duhet të punojë më shumë në mënyrën sesi po vepron në pjesën veriore të vendit.
Sipas tij, megjithëse vendimi për mbylljen e këtyre qendrave paralele serbe në veri, është i drejtë dhe ligjor, i njëjti duhet të merret në koordinim me aleatë.
“Askush s’po e konteston veprimin si të tillë në kuptimin a është i mirë apo keq dhe a është në përputhje me ligjin. Mirëpo po kontestohet mënyra dhe në këtë rrafsh konsideroj se qeveria e Kosovës do të duhej të merrej më shumë se ku është problemi tek mënyra. Nëse kërkohet alternativë për të qenë ndihmues për qytetarin serb të Kosovës atëherë faktori ndërkombëtarë e ka të drejtën. Republika e Kosovës si shtet multi-etnik e ka obligimin thelbësor për të gjithë qytetarët. Në këtë rast edhe pakicat kombëtare pavarësisht veprimeve armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës…. Për këtë arsye qeveria e Kosovës dhe secili politikanë duhet të bëjë kujdesin maksimal sidomos në këto ndryshimet e ashpra dhe të shpejta që po ndodhin pas ardhjes së administratës Trump”, thekson Maloku.
Në anën tjetër, profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thotë se qeveria Kurti po vepron me populizëm në pjesën veriore të vendit. Ai deklaron se përmes vendimeve të tilla për mbylljen e strukturave paralele serbe, pa koordinim me aleatë, po thellohet hendeku me partnerët kyç të Kosovës.
“Për fat të keq jemi në një politik të telenovelave turke që s’po përfundojnë asnjëherë. Nëse kanë mbetur institucione paralele do të duheshin të mbylleshin brenda 24 orëve dhe jo të marrim goditje pas goditje. Kjo është një goditje shumë e gabuar që e ka ndjekur qeveria e Kosovës… Unë e shoh më shumë si thellim të dëmtimit të raporteve. Raportet veçse janë të dëmtuara pasi jemi nën sanksione dhe kështu me radh. Ky është një thellimi dëmtimit, sikurse po dëshirojmë të kacafytemi me Bashkimin Evropian dhe ShBA-në. Duke parë fotografinë e politikës globale dhe administratën e re në ShBA ne sikurse po dëshirojmë të kemi një fërkim me më të fuqishmin. Nuk po na mjaftojnë këto probleme lokale por po dëshirojmë të shkojmë më tutje. Kjo është jo serioze”, deklaron Arifi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe Bashkimi Evropian edhe më herët kanë reaguar kundër veprimeve siç i kanë quajtur të njëanshme të Qeverisë së Kosovës, si për mbylljen e strukturave paralele serbe në veri dhe ndalimin e përdorimit të dinarit serb.