Mbyllet panairi ‘Prishtina 2014’, kompanitë dhe organizatorët të kënaqur

Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2014”, i cili këtë vit u mbajt në Qendrën e Panaireve, në fshatin Bërnicë , e që ishte i hapur  nga 30 prill është mbyllur sot. Përfaqësuesit e kompanive pjesëmarrëse dhe organizatorët e vlerësuan si të suksesshëm këtë panair.

Lajme

03/05/2014 19:03

Është mbyllur Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2014”, i cili këtë vit u mbajt në Qendrën e Panaireve, në fshatin Bërnicë .

Përfaqësuesit e kompanive pjesëmarrëse në panair, u shprehen të kënaqur me interesimin e qytetarëve për produktet e tyre dhe se kanë pasur leverdi mjaftë të mirë.

Ndërsa, organizatorët e panairit, theksuan se po realizohet ëndrra që Kosova të mbështesë sektorin privat dhe ajo kryesorja internacionalizimi i ndërmarrësisë kosovare.

Gazmend Kadriu pronar i kompanisë projektuese “Advanced Group of Architekture” (AGA), e cila edhe ka projektuar qendrën e panaireve, thotë se ai personalisht është shumë i kënaqur me interesimin dhe promovimin e produkteve të tyre.

“Ka pasur edhe prej ekspozuesve por edhe prej qytetarëve mjaftë interesim për projektet e mundshme që ata kanë nevojë për objektet që ata kanë nevojë në të ardhmen të ndërtojnë, kështu që kemi disa kontakte, te them gjashtë apo shtatë biseda serioze, që mund të kemi dobi në biznesit tonë në të ardhmen”, tha Kadriu, raporton KosovaPress.

Në këtë panair kishte edhe kompani ndërkombëtare, si nga vendet e rajonit ashtu edhe nga ato të shteteve të BE-së.

Fabio Berti, përfaqësues i kompanisë, Gruppo Ivas nga Italia, pjesë e së cilës është edhe kompania kosovare ‘Eco Color’ që merret me termo-izolime, thotë se janë shumë të kënaqur me interesimin e qytetarëve dhe shitjen e produkteve të tyre.

 Ndërkohë, në mbyllje të panairit, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu tha se me kalimin e kohës po realizohen shumë ëndrra të atyre që e kanë parë Kosovën në mbështetje të sektorit privat, në mbështetje të sektorit prodhues, me mbi të gjitha me internacionalizim të ndërmarrësisë kosovare, bazuar në resurset e Kosovës.

“Për panairin në fjalë, çdo fjalë është e tepërt, nëse e meriton dikush të falënderohet, është produkti juaj, shërbimi jua dhe prania juaj. Ky panair ka dëshmuar se është panairi i Kosovës, prandaj e gëzofshi dhe me fat ju qoftë ky objekt tani e shumë vite”, tha Gëxhaliu.

 Në përmbyllje të panairit Ndërkombëtarë ‘Prishtina 2014’, OEK-u ka shpërndarë edhe nga një mirënjohje për të gjitha kompanitë pjesëmarrëse në këtë panair. Panairi i sivjetmë u mbajt nga data 30 prill deri me 3 maj 2014, për herë të parë në Qendrën e Panaireve e ndërtuar enkas për këtë aktivitet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

(KosovaPress)