Mbyllet merkatoja – këto janë lëvizjet më interesante të kryera në ditën e fundit

Në ora 00:00 është mbyllur zyrtarisht afati kalimtar i verës në ligat kryesore të Evropës.

Sport

03/09/2019 00:01

Anglia ishte vendi i parë ku u mbyll merkatoja (8 gusht), kurse Serie A, La Liga, Bundesliga e Ligue 1 vazhduan deri sot.

Ora 18:00 shënoi mbylljen e merkatos në Bundesliga, kurse në orën 22:00 morri fund dritarja e transferimeve në Serie A. Ora 00:00 shënoi fundin edhe në La Liga e Ligue 1, duke i dhënë fund merkatos evropiane në futboll, raporton lajmi.net.

Sot, gjatë gjithë ditës, lajmi.net ka raportuar në kohë reale për të gjitha lëvizjet që kanë ndodhur në ditën e fundit të merkatos.

Më poshtë ua përcjellim disa prej lëvizjeve më interesante që janë kryer në orët e fundit të merkatos. Sigurisht, kalimi i Icardi tek PSG, Keylor Navas tek PSG e Mkhitaryan tek Roma ishin lëvizjet më interesante.

23:55 – ZYRTARE: PSG huazon Jese tek Sporting.

23:00 – ZYRTARE: Icardi nënshkruan me PSG

Icardi i ka dhënë fund makthit të tij tek Inter.

Ylli argjentinas është larguar nga skuadra e Inter, për të vazhduar një aventurë të re me skuadrën e Paris Saint Germain.

Marrëveshja mes Icardi dhe PSG është arritur vetëm pak orë para përfundimit të merkatos, raporton lajmi.net.

Lojtari do të kalojë tek PSG në formë huazimi për një sezon, me mundësi blerjeje në fund.

PSG do t’i paguajë Interit 5 milionë euro për huazimin, kurse lojtari do të përfitojë pagë prej 7 milionë eurove, plus bonuse.

Në rast se kampionët e Francës vendosin për transferim permanent, atëherë duhet të paguajnë 65 milionë euro, si dhe paga e lojtarit rritet në 10 milionë euro, në kontratë pesë vjeçare.

22:55 – ZYRTARE: Gonalons largohet nga Roma, i bashkohet Granadas.

22:35 – ZYRTARE: Valencia kompleton transferimin e Thierry Correia, nga Sporting Lisbona. Lojtari ka nënshkruar kontratë katër vjeçare dhe ka klauzolë liruese prej 100 milionë eurove

22:30 – ZYRTARE: Falcao nënshkruan me Galatasaray

Radamel Falcao është bërë me skuadër të re.

Ylli kolumbian i futbollit, Radamel Falcao, ka gjetur skuadër të re, vetëm pak orë para mbylljes së afatit kalimtar të verës.

Faqja zyrtare e skuadrës së Galatasaray ka njoftuar për marrëveshjen e arritur me ‘El Tigre’, transmeton lajmi.net.

Falcao ka vënë nënshkrimin e tij në një kontratë që e mban atë në Turqi për tri vite. 

22:00 – Edhe dy orë nga mbyllja e merkatos në La Liga dhe Ligue 1. Priten lëvizjet e fundit. Vëmendja tek zyrtarizimi i Icardi tek PSG.

22:00 – Mbyllet merkatoja në Serie A.

21:50 – ZYRTARE: Simone Verdi transferohet tek Torino

21:20 – ZYRTARE: Kenedy i Chelsea kalon tek Getafe.

21:00 – Tri orë nga mbyllja e merkatos në La Liga dhe Ligue 1.

21:00 – Një orë nga mbyllja e merkatos në Serie A.

20:35 – Ante Rebic – Andre Silva. As Milan, as Frankfurt nuk kanë të drejt blerjeje për lojtarët.

20:13 – ZYRTARE: Pas problemeve me Liverpool, Bobby Duncan nënshkruan me Fiorentinën. Viola paguajtën 2 milionë euro për 18 vjeçarin, i cili nënshkroi kontratë tri vjeçare.

20:01 – Më pak se dy orë nga mbyllja e merkatos në Serie A

20:01 – Më pak se katër orë nga mbyllja e merkatos në Spanjë dhe Ligue 1.

19:34 – Icardi ka nënshkruar me PSG [Canal+]

19:12 – ZYRTARE: Mkhitaryan transferohet tek Roma

Mkhitaryan është bërë me skuadër të re.

Ylli armen, Henrikh Mkhitaryan, është larguar nga skuadra e Manchester United, në orët e fundit të merkatos së verës.

Mkhitaryan do të mbrojë ngjyrat e Romës, pasi sot ai ka nënshkruar me skuadrën italiane, raporton lajmi.net.

Kalimi i lojtarit tek Roma është bërë vetëm në formë huazimi.

19:08 – Më pak se tri orë na ndajnë nga mbyllja e afatit kalimtar në Itali.

18:58 – ZYRTARE: Konoplyanka kalon tek Shakhtar. Lojtari ka nënshkruar marrëveshje tri vjeçare me skuadrën.

18:55 – ZYRTARE: Chicharito zyrtarizohet tek Sevilla. Skuadra spanjolle ka paguar 8 milionë euro për shërbimet e lojtarit.

18:46 –  Icardi kalon me sukses testet mjekësore tek PSG.

18:35 ZYRTARE: Besar Halimi transferohet tek Sandhausen

Besar Halimi është bërë me skuadër të re.

Ylli i kombëtares së Kosovës, Besar Halimi, është bërë me skuadër të re, vetëm pak orë para mbylljes së merkatos së verës.

Mesfushori që luante me Brondby, i është bashkuar skuadrës së Sandhausen, raporton lajmi.net.

Lojtari do të jetë pjesë e skuadrës gjermane deri në vitin 2021.

18:35 – ZYRTARE: Fenerbahce nënshkruan me Luis Gustavo. Mesfushori brazilian do të ketë shok skuadre Vedat Muriqin e kombëtares së Kosovës.

18:34 – ZYRTARE: Rafinha kalon tek Celta Vigo

Rafinha është larguar nga skuadra e Barcelonës.

Ylli brazilian i Barcelonës, Rafinha Alcantara, ka gjetur skuadër të re, pak orë para mbylljes së merkatos.

Lojtari do t’i bashkohet Celtas, në formë huazimi, për një sezon, raporton lajmi.net.

Celta do t’i paguajë Barcelonës rreth 1.5 milionë euro për shërbimet e mesfushorit.

Emri i Rafinha lidhej edhe me një kalim të mundshëm tek Valencia, por Celta finalizoi gjithçka, duke iu përshtatur kushteve të kampionëve të La Liga.

18:33 – Hetemaj transferohet tek Benevento

18:30 ZYRTARE: Milan nënshkruan me Ante Rebic

Skuadra e Milan ka zyrtarizuar transferimin e Ante Rebic.

Milan ka kryer një prej transferimeve më të mira të skuadrës në këtë afat kalimtar, duke siguruar nënshkrimin e kroatit Rebic, raporton lajmi.net.

Rebic ka kaluar tek Milan vetëm në orët e fundit të afatit kalimtar, në një marrëveshje që përfshiu edhe portugezin Andre Silva.

Silva pati disa probleme me testet mjekësore duke ngjallur një frikë dështimi të marrëveshjes, por në fund gjithçka shkoi sipas planeve.

18:30 ZYRTARE: Samir Ujkani transferohet në Serie A

Samir Ujkani është bërë me skuadër të re.

Portieri i kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani, ka ndërruar skuadër në orët e fundit të merkatos së verës.

Gardiani kosovar i është bashkuar skuadrës nga Serie A, Torino, raporton lajmi.net.

Ujkani nuk pritet të ketë pozitën e titullarit tek Torino, gjithsesi, niveli i stërvitjeve do të jetë më i lartë.

18:18 – ZYRTARE: Patrik Shick nënshkruan me Leipzig. Skuadra gjermane ka paguar 3.5 milionë euro për huazimin e lojtarit, me opsion blerjeje për 28-29 milionë euro.

18:03 – ZYRTARE: Navas kalon tek PSG

Është zyrtarizuar transferimi i Keylor Navas tek PSG.

Paris Saint Germain ka arritur marrëveshje me portierin e Real Madrid, Keylor Navas, raporton lajmi.net.

Navas i është bashkuar skuadrës së PSG, pas pesë viteve të kaluara tek Real Madrid, ku fitoi tri herë Ligën e Kampionëve.

Më herët, Areola ka kaluar nga PSG tek Reali.

18:00 – Mbyllet merkatoja në Gjermani

17:53 – Ante Rebic është lojtar i Milan. [Sky Italy]

17:38 – Icardi i është nënshtruar testeve mjekësore tek PSG, para kompletimit të kalimit në formë huazimi, tek kampionët e Ligue 1. [Sky Italy]

17:35 – ZYRTARE: Galatasaray nënshkruan me Florin Andone të Brighton. Lojtari kalon si i huazuar për një sezon.

17:33 – ZYRTARE: Asmir Begovic largohet nga Bournemouth, bashkohet me Qarabag në formë huazimi për një sezon.

17:30 – Rakitic nuk largohet nga Barcelona. S’ka marrëveshje me Juventus [Cat radio].

17:26 –  ZYRTARE: Roma nënshkruan me Nikola Kalinic.

17:00 – Roma do t’i paguajë Arsenali një shifër prej 3 milionë euro, për huazimin e Henrikh Mkhitaryan [Sky Italia]

16:48 – Fiorentina hap bisedimet për Hatem Ben Arfa. Pritet lëvizja në minutat e fundit të merkatos.

16:44 – ZYRTARE: Juventus nënshkruan me 21 vjeçarin nga Korea e Veriut, Han Kwang – Son. Mbetet të shihet nëse ai do të kalojë tek skuadra U23, apo do të huazohet tek ndonjë skuadër, para orës 21:00.

16:38 – Wanda Nara dhe Mauro Icardi kanë mbërritur në zyrat e PSG. Pak momente na ndajnë nga zyrtarizimi i huazimit të lojtarit.

16:35 – ZYRTARE: Areola portier i Real Madrid

Është zyrtarizuar kalimi i Alphonse Areola tek Real Madrid.

Edhe pse skuadra akoma nuk ka bërë njoftimin për zyrtarizimin e lojtarit, ‘Marca’ shkruan se portieri është futur në regjistrin e lojtarëve të La Liga, transmeton lajmi.net.

Francezi ka kaluar testet mjekësore me ‘Los Blancos’ gjatë vikendit të kaluar dhe do të jetë në ‘Santiago Bernabeu’ në formë huazimi.

Keylor Navas pritet të zyrtarizohet tek PSG në orët/minutat e ardhshme. 

16:15 – ZYRTARE: Sevilla nënshkruan me portierin Yassine Bounou. Portieri do të transferohet nga Girona, në formë huazimi.

15:43 – ZYRTARE: Atalanta nënshkruan me mbrojtësin Simon Kjaer.

15:27 – ZYRTARE: Baba Rahman huazohet për një sezon te Mallorca nga Chelsea.

15:13 – Juventus refuzon ofertën e PSG për mbrojtësin Mattia De Sciglio.

15:06 – Tuttosport raporton se Juventus ka rënë dakord me Bayern Munich për huazimin e Jerome Boateng. Tashmë pritet vetëm të jepet drita e gjelbërt për zyrtarizimin e tij.

14:50 – Lind ide e re mes Barcelonës dhe Juventusit. Klubet janë duke negociuar për shkëmbimin e dyshes Ivan Rakitic – Federico Bernardeschi.

14:33 – Mesfushori i Shakhtar Donetsk, Taison nuk do të kalojë te Milan. ‘Rossonerët’ kanë refuzuar të paguajnë 30 milionë euro e kërkuara nga ekipi ukrainas.

14:14 – Trajneri i Rangers, Steven Gerrard mohon interesimin për mesfushorin e Manchester Cityt, Phil Foden.

14:02 – Portieri i Kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani bëhet me skuadër të re. 31-vjeçari largohet nga Rizespor pas vetëm një sezoni dhe do të kalojë në Torino.

13:45 – Henrikh Mkhitaryan i nënshtrohet testeve mjekësore te Roma.

12:57 – Nga momenti në moment pritet zyrtarizimi i shkëmbimit mes AC Milan dhe Eintracht Frankfurt. Ante Rebic do luajë në Serie A, ndërsa Andre Silva kalon në Bundesliga, si huazime me të drejtë blerje.

12:40 – Mauro Icardi niset për në Paris. Pas pak orësh do zyrtarizohet edhe huazimi i tij te kampioni i Ligue 1.

12:27 – Henkrikh Mkhitaryan arrin në Romë, para zyrtarizimit të huazimit të tij nga Arsenali.

12:22 – Dy ‘të harruarit’ e Chelseat, Kenedy dhe Baba Rahman janë afër huazimit në La Liga, te Getafe respektivisht Mallorca. Fillimisht ata do të rinovojnë kontratën me ‘Blutë’, para se të kalojnë në Spanjë.

12:16 – ZYRTARE: Javier Hernandez ‘Chicharito’ kompleton transferimin te Sevilla. Sulmuesi meksikan u largua nga West Ham për 8 milion euro.

12:05 – AC Milan ka kontaktuar Shakhtar Donetsk për mesfushorin Taison. Ky i fundit ka shënuar dy gola dhe ka ndihmuar me tre asistime në katër ndeshjet e fundit të ekipit ukrainas.

11:59 – Anësori i PSG, Jese Rodriguez  pranë kompletimit të marrëveshjes me Celta Vigon.

11:55 – Dejan Lovren nuk do të largohet nga Liverpool. Mbrojtësi kroat ishte i lidhur me një kalim në Serie A, por Sky Sports raporton se ai do qëndrojë së paku edhe një sezon në ‘Anfield’.

11:11 – ZYRTARE: Dështimi i Manchester United, Matteo Darmian rikthehet në Serie A te Parma. Ai ka nënshkruar kontratë pesë-vjeçarë dhe i ka kushtuar klubit italian 1.5 milion euro. /Lajmi.net/