Mbyllen 6 motele në Ferizaj

Inspektorati i Komunës së Ferizajt ka mbyllur përkohësisht gjashtë motele dhe 13 të tjera i ka proceduar për në gjykatë.

Lajme

14/06/2019 16:33

Këtë gjë e ka konfirmuar vetë komuna, të cilët kanë thënë se kjo po bëhet për të mos lejuar asnjë paligjshmëri në këtë qytet.

“Paligjshmëria ka kohë që nuk zë vend më në qytetin e Ferizajt. Kjo falë përkushtimit të jashtëzakonshëm të Inspektoratit të Komunës, të cilët me gjithë mekanizmin e tyre operativ janë vazhdimisht në terren, në denoncimet e qytetarëve dhe kontrollin e rreptë të bazuar në rregullativën inspektuese. I tillë është edhe aksioni që u zhvillua pak ditë më parë në koordinim me një varg institucionesh shtetërore”, thotë Komuna.

Ridvan Berisha, koordinator i Inspektoratit të Komunës tha se ky aksion kaq i gjerë që është shtrirë mbi qytetin e Ferizajt dhe rrethinën ka një qëllim, atë të shmangies së dukurive eventuale devijante në këto biznese dhe kontrollit sanitar që parashihet me normativin ligjor në fuqi.

Ai tutje, tha se do të vazhdohet edhe ditëve në vijim me këtë aksion dhe se vazhdimisht inspektorët e tregut dhe sanitar janë në vëzhgim e kontroll të afër të këtyre llojeve të bizneseve.

Ndryshe, aksione të tilla patën zhvilluar inspektoratet edhe në Komuna të tjera, e madje në kuadër të këtyre aksioneve ishin mbyllur edhe disa qendra masazhi.