Mbushet me vetura depo e Agjencisë për Sekuestrim të Pasurisë, kritikohen prokurorët për mospunë
Vlera e kësaj veture, në treg aktualisht kalon edhe shifrën prej mbi 200 mijë eurove. Kjo veturë është në mesin e rreth 450 të tjerave, që janë në këtë depo të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe konfiskuar, meqë dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Por, vlera e tyre po bie…

Lajme
Vlera e kësaj veture, në treg aktualisht kalon edhe shifrën prej mbi 200 mijë eurove.
Kjo veturë është në mesin e rreth 450 të tjerave, që janë në këtë depo të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe konfiskuar, meqë dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Por, vlera e tyre po bie në këtë depo për shkak të qëndrimit të gjatë dhe mosveprimit institucional.
“Vlera e të gjitha këtyre pasurive në këtë depo se janë afër 450 automjete, të ndryshme që janë të deponuara këtu edhe në Smrekonicë, vlera totale e tyre sipas vlerësimit në kohën e pranimit është 2 milionë e 600 mijë euro, por nga vlera faktike jam i bindur se nuk është as 1 milionë sepse të gjitha janë zhvlerësuar për shkak qëndrimit të gjatë dhe shkallës normale të amortizimit, është fiks 13% është vlera e zhvlerësimit të automjeteve…”, ka thënë Fadil Bunjaku, u.d i drejtorit të Agjencisë.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj Agjencie, thotë se për shkak të numrit të lartë të veturave të sekuestruara është dashur të kërkojnë ndihmë për hapësira të reja.
“Varësisht prej pasurive bëhet edhe ruajtja e tyre, pasuritë e paluajtshme kuptohet administrohen aty ku janë, pasuritë e luajtshme vendosen në depo, në këtë depo. Por e kemi edhe një pjesë të tyre, e kemi në qendrën korrektuese së Smrekonicë për shkak se këtu kapacitetet vetëm janë stërmbushur edhe ata na kanë dalë në ndihmë, na kanë ofruar për do mjete më të rënda që i kemi atje te sistemuara për momentin”, ka shtuar Bunjaku.
Së fundmi, prokurorët janë kritikuar për shkak se po vazhdojnë të e dëmtojnë buxhetin e shtetit, meqë nuk kërkojnë shitjen e aseteve të sekuestruara, në raste ku dyshohen për vepra penale.
“Për fat të keq nuk është duke funksionuar pikërisht tek prokurorët edhe te gjyqtarët e rasteve.. Bazuar në memorandumin e vitit 2017 që është lidhur me kryeprokurorin e shtetit, KPK –në e KGJK-në, prokurori është i obliguar që për pasurinë që besohet se e humb vlerën krahas urdhrit për sekuestrim të bëjë edhe kërkesën për shitjen e asaj pasurie në fazën e sekuestrimit edhe kundërvlera të ruhet në xhirollogarinë e agjencisë që është BQK edhe në fund të procedurave nëse vendoset me iu kthy pronarit i kthehet komplet shuma pronarit, nëse konfiskohet përfundimisht parat i kalojnë shtetit..”, ka thënë më tej Bunjaku.
Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe konfiskuar, ka në administrim edhe rreth 4 milionë euro para të gatshme që janë sekuestruar e qëndrojnë në Bankën Qendrore të Kosovës.