Mbrojtja propozon negocimin e marrëveshjes për pranim fajësie, seanca u ndërpre në mungesë të të akuzuarit

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Idriz Alija po akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj bashkëjetueses së tij Sh.T., mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Haxhi Millaku, tha se kanë pasur një takim me prokuroren e rastit, Fatmire Cacaj lidhur me negocimin për marrëveshje për pranim fajësie.…

Lajme

17/06/2025 16:56

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Idriz Alija po akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj bashkëjetueses së tij Sh.T., mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Haxhi Millaku, tha se kanë pasur një takim me prokuroren e rastit, Fatmire Cacaj lidhur me negocimin për marrëveshje për pranim fajësie.

Në këtë rast, Idriz Alija akuzohet për tentim vrasje të rëndë ndaj Sh.T., me të cilën kishte bashkëjetuar.

Në këtë seancë, prokurorja Cacaj tha se qëndrimi i Prokurorisë është i njëjti sikur në takimin e parë për negocim të marrëveshjes për pranim të fajësisë. Mirëpo, tha se avokati është udhëzuar që me shkrim ta dorëzojë kërkesën për pranim fajësie, por që deri më sot nuk e ka pranuar në zyrën e saj.

“Pavarësisht nga të gjitha, unë e kam pritur që do ta dorëzonte kërkesën dhe të shohim se cilat janë mundësitë, por që deri më tani nuk kam pranuar asnjë kërkesë”, tha Cacaj.

Lidhur me këtë, avokati Millaku tha se ka dëshmi që kërkesën e ka dërguar në Prokurori, por ka gjasa që administrata ende nuk e ka dërguar tek prokurorja e rastit.

Kurse, mbrojtësi i palës së dëmtuar Sh.T., avokati Fitim Gashi tha se si palë e dëmtuar nuk janë kundër negocimit të marrëveshjes për pranim fajësie nëse ka interes që kjo çështje të zgjidhet sipas marrëveshjes.

Në këtë seancë, ka munguar i akuzuari Idriz Alija. Sipas gjykatëses Medie Bytyqi, Alija mungon për arsye të lëshimeve nga stafi i administrates, ku nuk është dërguar ftesa për sjelljen e tij në Gjykatë.

Ndërsa, pala e dëmtuar Sh.T., tha se dikush nga pala e akuzuar përmes motrës së saj ia kanë kërkuar numrin e saj të telefonit. Me këtë rast reagoi avokati Millaku, i cili tha se ai veçse e ka numrin e saj kontaktues, ku edhe filloi debati mes tyre.

“Se ti për kriminela je, jo për tjetër sen, se qasi krimineli je ti, ma i zi je, ai njeri që e mbron kriminelin është ma kriminel”, tha e dëmtuara Sh.T.

Ndërsa, avokati Millaku iu përgjigj duke thënë se ai e ka numrin e saj të telefonit dhe raste tjera të saj, por që nuk do t’i publikojë.

Në dispozitivin e parë të aktakuzës, thuhet se më 6 gusht 2024, rreth orës 7:33 minuta, i pandehuri Idriz Alija në rrugën e “Pejës”, afër semaforëve në fshatin Bresje, të Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe raportimit të dy rasteve tjera të dhunës në familje, me qëllim tenton ta privojë nga jeta anëtarin e familjes, të dëmtuarën Sh.T me të cilën ka bashkëjetuar. Përderisa e dëmtuara ishte me djalin e saj E.T., duke ecur në rrugë i ka përcjellë nga mbrapa.

Aty thuhet se posa të dëmtuarit kalojnë vendkalimin për këmbësorë, i pandehuri përshpejton hapat e nxjerr armën nga brezi, me dy duart e repetit, vrapon pas tyre nga mbrapa në mënyrë dinake nga afërsia shkrep me armë zjarri në trupin e të dëmtuarës, pastaj e godet me duar në fytyrë e cila rrëzohet në tokë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pas këtij veprimi të të akuzuarit, djali i të dëmtuarës, i mitur E.T, tenton ta largojë nga ajo, derisa i pandehuri sërish shkrep disa herë mbi trupin e të dëmtuarës, e mandej e godet me forcë të madhe rreth tetë ose nëntë herë në kokë me kondak të armës së zjarrit, derisa dy qytetarë të rastit me forcë arrijnë t’ia largojnë armën e zjarrit, duke e hedhur atë në trotuar dhe e shtrijnë për toke, ku më pas të njëjtin policia e arreston.

Si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurit, të dëmtuarës i shkaktohen tri plagë hyrëse-tejshkuese nga arma e zjarrit, ku si dëshmi posedon raportet mjekësore dhe e njëjta është hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, me ç’rast sipas ekspertizës mjeko-ligjore, ajo ka pësuar dëmtime të rënda trupore dhe të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit.

Me këtë, i pandehuri Alija po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë’ nga neni 173, paragrafi 1, pikat 1.3 dhe 1.5 lidhur me nenin 28, i Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në dispozitivin e dytë të saj, me datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë, i pandehuri ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët një pistoletë të tipit “Cervena Zastava” M-57, me të cilën ka shkrepur në trupin e të dëmtuarës disa herë, 3 nga gëzhojat e së cilës armë janë gjetur në vendin e ngjarjes si dhe një predhë, kurse armën e ka marrë një person i cili largohet nga vend i ngjarjes, ndërkaq Policia pas veprimeve hetimore më pas e ka gjetur armën dhe ka identifikuar personin nga i cili sekuestrohet arma e zjarrit. Gjithashtu, edhe ndaj këtij personi u iniciua procedurë penale.

Me këtë, i pandehuri Idriz Alija akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronës, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, i pandehuri Alija ngarkohet se nuk i është bindur aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega Fushë Kosovë, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal, përmes të cilit e kishte të ndaluar t’i afrohej të dëmtuarës-bashkëjetuese të tij, 20 metra në vende publike dhe 100 metra nga vendqëndrimi i tyre aktual.

Për këtë veprim, i pandehuri Alija po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës” nga neni 393, paragrafi 1 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi