Mbrojtja e Thaçit: Pretendimet e Prokurorisë për rrezik arratisjeje janë të pabazuara dhe spekulative
Mbrojtja e Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq, ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë në kërkesën e fundit për vazhdimin e paraburgimit për ish-presidentin në çështjen në të cilën po gjykohet për krime lufte. Luka Mishtiq në parashtresën e dorëzuar trupit gjykues ka thënë se pretendimet e Prokurorisë që ka rrezik që Thaçi të arratiset, janë…

Lajme
Mbrojtja e Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq, ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë në kërkesën e fundit për vazhdimin e paraburgimit për ish-presidentin në çështjen në të cilën po gjykohet për krime lufte.
Luka Mishtiq në parashtresën e dorëzuar trupit gjykues ka thënë se pretendimet e Prokurorisë që ka rrezik që Thaçi të arratiset, janë të pabaza dhe spekulative. Ai thotë se klienti i tij nuk ka paraqitur asnjëherë rrezik që të arratiset. Përveç kësaj, mbrojtja thotë se Thaçi e ka konsideruar çështjen e Prokurorisë s’i të dobët dhe ka konsideruar që të mos të ketë fare çështje mbrojtje.
“Siç e ka shprehur në disa raste përmes avokatit të tij special në konferencat mbi statusin e procedurës, z. Thaçi e konsideron çështjen e ZPS-së aq të dobët saqë ka menduar të mos paraqesë fare një çështje të Mbrojtjes”, thuhet në parashtrim.
Në parashtresën e mbrojtjes thuhet se Thaçi s’paraqet rrezik për arratisje dhe kjo është evidentuar edhe nga gjyqtari i procedurës paraprake e po ashtu edhe nga trupi gjykues.
Sipas mbrojtjes, kjo për faktin se Thaçi në vitin 2020 ishte dorëhequr nga pozita e presidentit dhe ishte dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën Speciale.
Mbrojtja ka përendur se edhe vendimi i fundit për vazhdimin e paraburgimit ndaj Thaçit thotë se kjo masë nuk është e justifikuar mbi bazën e rrezikut të arratisjes.
Ata thonë se këta faktorë nuk kanë ndryshuar dhe me të drejtë trupi gjykues ka hedhur poshtë argumentin e Prokurorisë se rreziku i arratisjes rritet me përparimin e procedurave gjyqësore.
Në parashtrimin e mbrojtjes thuhet se trupi gjykues kishte hedhur poshtë edhe argumentin tjetër të Prokurorisë e cila thoshte se rreziku i arratisjes së Thaçit rritet për shkak të njohurisë së tij për akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë të cilat tashmë janë konfirmuar.
Mishetiq thotë se as argumenti që Thaçi tashmë do të ketë informacione shtesë të ndjeshme për faktin se mbrojtësi i viktimave është duke e përgatitur çështjen e tij është një vlerësues i rrezikut të arratisjes, është i paqëndrueshëm.
Për mbrojtjen, edhe pretendimi tjetër i Prokurorisë që Thaçi ka rrezik në rritje që të pengoj procedurat është i pabazë dhe duhet të merret parasysh nga gjykata.
Luka Mishetiq thotë se nuk qëndron fakti që Thaçi mund të pengojë procedurat pas përfundimit të paraqitjes së provave nga Prokuroria.
Mbrojtja ka përmendur edhe një vlerësim të Apelit i cili kishte theksuar se në rrjedhjen normale të ngjarjeve, rreziku i pengimit të procedurave zvogëlohet me kalimin e kohës, pasi përfundojnë hetimet dhe pasi dëshmitarët dëshmojnë dhe paraqiten provat.
Megjithatë, mbrojtja thotë se kundërshton argumentin që Thaçi të pengoj procedurat nëse ka për qëllim të nënkuptoj se provat e paraqitura nga ZPS-ja nga shqyrtimi i fundit i paraburgimit e kanë forcuar çështjen kundër të akuzuarit.
Por, mbrojtja thotë se Thaçi e konsideron çështjen e ZPS-së të dobët saqë ka menduar që të mos paraqesë fare mbrojtjen e tij.
“Siç e ka shprehur në disa raste përmes avokatit të tij special në konferencat mbi statusin e procedurës, z. Thaçi e konsideron çështjen e ZPS-së aq të dobët saqë ka menduar të mos paraqesë fare një çështje të Mbrojtjes”, thuhet në parashtrim.
Në parashtresë thuhet se rreziku i pengimit të procedurave ishte i lidhur me rrezikun e nxjerrjes së informacioneve konfidenciale për dëshmitarët. Ndërsa, tash meqë ka përfunduar çështja e Prokurorisë, rreziku ndaj ndërhyrjes së dëshmitarëve është dukshëm me i ulët.
Edhe për argumentin tjetër të Prokurorisë që ekziston rreziku që Thaçi të ndërhyjë në dëshminë e dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave nuk qëndron.
Sipas mbrojtjes, barra e provës i takon ZPS-së dhe vetëm provat e saj mund të mbështesin një dënim në fund të gjykimit në rast në raste normale. Ndërsa, sipas mbrojtjes, mbrojtësi i viktimave paraqet vetëm prova që lidhen me demet që iu janë shkaktuar viktimave dhe jo me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve.
“Ky është një ndryshim thelbësor që çon logjikisht në përfundimin se çdo rrezik për pengim në lidhje me dëshmitarët e Viktimave është në thelb më i ulët”, thuhet në parashtresë.
Si rrjedhojë, mbrojtja thotë se në këtë fazë të procedurës nuk ka asnjë provë për ekzistencën e ndonjë rreziku për ndërhyrje në dëshmitarët e mbrojtësit të viktimave.
Përveç kësaj, mbrojtja thotë se këta dëshmitarë nuk janë as shtetas të Kosovës dhe janë dëshmitarë ekspert e që rrjedhimisht nuk janë të cenuar.
E njëjta gjë, sipas mbrojtjes vlen edhe për dëshmitarët që mund t’i paraqes mbrojtja duke thënë se Prokuroria s’ka paraqitur asnjë informacion për të mbështetur ekzistencën e një rreziku të tillë
“Kjo nuk është për t’u habitur, duke qenë se në këtë fazë të procedurës, Mbrojtja nuk ka konfirmuar ende nëse do të thërrasë dëshmitarë. Prandaj, çdo rrezik për ndërhyrje në këtë drejtim është abstrakt dhe spekulativ”, thuhet në parashtrim.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi