Mbrojtja e të dhënave personale, kriter për liberalizimin e vizave

Mbrojtja e të dhënave personale është njëri prej kritereve që Kosova duhet të plotësojë në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave si dhe në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Lajme

30/06/2014 15:00

Kështu u tha në përvjetorin e tretë të themelimit të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ku me ç’rast u nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Universitetin e Biznesit dhe Teknologjisë si dhe u ndanë mirënjohje për suksesin gjatë punës së zyrtarëve të mbrojtjes së dhënave personale, që punuan me sukses në institucione të ndryshme në Kosovë.

Yvonne Gogol, udhëheqëse e ekipit për sundimin e ligjit nga zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, tha se me projektin e tyre, për mbrojtjen e të dhënave personale, ata kanë prioritet të veçantë të mbështesin Agjencinë, që të jenë të aftë për të implementuar një legjislacion efektiv.

“Mbrojtja e të dhënëve është një temë e re për Kosovën, që e bënë Kosovën jo më pak se kompatibile me BE-në. Gjithashtu është një kriter për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe për procesin e integrimit në BE”.

“Gjithashtu në raportin e progresit të 2013 është theksuar se Kosova ende duhet të përmirësojë implementimin dhe harmonizimin e ligjeve për mbrojtjen e të dhënave personale dhe ngritjen e kapaciteteve për agjencinë., zyra e BE-së është e kënaqur që ta mbështetë këtë agjencion me një projekt 2 vjeçar të quajtur “Mbështetje për institucionet e Kosovës, në fushën e të dhënave personale”, e cila është një vlerë diku 1.5 milionë euro. Me këtë projekt ne e mbështesim Kosovën në mbrojtjen e të dhënave, me një fokus të veçantë në mbështetjen e agjencisë që të jenë të aftë për të implementuar legjislacionin efektiv, një bashkëpunim të afërt me institucionet tjera relevante” tha Gogol.

Ndërsa, Ruzhdi Jashari, mbikëqyrësi kryesor në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave Personale tha se, tashmë makina e komunikimit masiv dhe teknologjia e internetit i kanë shembur kufijtë e komunikimit ndërmjet shteteve.

Ai tha se, me mbrojtjen e të dhënave personale individuale, përmbushen obligimet në fushën e drejtësisë, lirisë e sigurisë.

“Privatësia e individit është një nga parimet fundamentale të të drejtave dhe lirive të njeriut, pa respektimin e privatësisë së individit nuk mund të flitet për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, por me këtë ne përmbushim obligimet tona në fushën e drejtësisë, lirisë, sigurisë dhe lëvizjes së lirë të njeriut, vlera këto të demokracisë”,ka thënë ai.

(Kosovapress)