Mbrojtja e Krasniqit: Prokuroria mbylli sytë para provave që nuk i përshtateshin narrativit të saj
Avokatja e Krasniqit tha se ZPS-ja ka mbyllur sytë para “çdo prove që nuk i është përshtatur” narrativit të saj. Në këtë drejtim, ajo tha se Prokuroria nuk ka përfillur dëshmitë e dëshmitarëve të saj lidhur me emërimin e Jakup Krasniqit si zëvendëskomandnat i UÇK-së. “Trupi gjykues ka marrë dëshmi të shumta se emërimi i…
Lajme
Avokatja e Krasniqit tha se ZPS-ja ka mbyllur sytë para “çdo prove që nuk i është përshtatur” narrativit të saj.
Në këtë drejtim, ajo tha se Prokuroria nuk ka përfillur dëshmitë e dëshmitarëve të saj lidhur me emërimin e Jakup Krasniqit si zëvendëskomandnat i UÇK-së.
“Trupi gjykues ka marrë dëshmi të shumta se emërimi i Krasniqit si zëvendëskomandant nuk njihej në të gjitha nivelet e UÇK. Ai nuk njihej si zëvendëskomandant për mbështetje për ndërkombëtarët që kishte komunikim”, tha avokatja Venkateswari Alagendra.
“Dëshmitarët e ZPS kanë konfirmuar se Krasniqi e ka mbajtur këtë post për një periudhë të shkurtër kohore, përafërsisht 3 muaj dhe ka dhënë dorëheqje më 27 shkurt 1999. Të njëjtët dëshmitarë të Prokurorisë thanë se emërimi i Krasniqit nuk u pranua asnjëherë, më saktë u kundërshtua nga komandantët e zonave. Prokuroria në dosje nuk i ka kundërshtuar këto fakte”, shtoi ajo.
“Prokuroria ka dështuar të vërtetojë lidhjen mes Krasniqit dhe krimeve të pretenduara dhe në veçanti që komunikatat, rregulloret e hartuara nga Jakup Krasniqi kanë ndihmuar, inkurajuar ose kanë pasur ndonjë lidhje me krimet e ngritura në aktakuzë. Në fund, Prokuroria tërhoqi pretendimin e saj se Krasniqi ka vizituar ku kanë qenë persona të ndaluar në Malishevë. Ky ishte i vetmi pretendim i ZPS-së që Krasniqi ka parë me sytë e tij një viktimë që ka qenë në ndalim. Një prokuror i përgjegjshëm nuk do të kishte ngritur kurrë një akuzë të tillë”, tha ajo.
Ajo pretendoi po ashtu se Prokuroria nuk ka bërë punën siç duhet, pasi nuk ka ftuar dëshmitarë kyç që do të ofronin informacione për kontekstin e luftës dhe të ofronin informacione për hierarikën e UÇK-së.
Ajo e cilësoi si “të shtrembëruar dhe të paplotë” dokumentacionin e ofruar nga ZPS-ja, dhe tha se trupi gjykues do të përballet me hetime selektive të kryera nga organi ndjekës.
Mbrojtja e Krasniqit e akuzoi Prokurorinë se ka përzgjedhur dokumente dhe pjesë të dëshmive të dëshmitarëve sipas interesave të saj, duke shtuar se ka injoruar pjesët e dëshmive që nuk i përshtaten ZPS-së.
Në këtë drejtim, ajo tha se ZPS nuk u ka dhënë peshën e duhur provave shfajësuese duke përmendur shembullin e një urdhri të lëshuar nga shefi i shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi më 28 nëntor 1998, dhe ka përzgjedhur vetëm pjesë të dëshmisë së tij dhënë Prokurorisë më 2019.
Zyrapi kishte thënë, sipas mbrojtjes, se urdhrin e mori pasi u konsultua me komandantin e përgjithshëm Azem Syla dhe sipas avokates, Prokuroria tha se ai kishte raportuar për këtë edhe te Krasniqi.
“Ajo çfarë nuk merr parasysh Prokuroria është dëshmia e Zyrapit që komandanti i përgjithshëm Azem Syla e jo Jakup Krasniqi ishte ai me të cilin ai kishte diskutuar ankesat përpara se të nxirrte urdhrin e 28 nëntorit 1998”, tha Venkateswari Alagendra.
Mbrojtja tha se Zyrapi tha se kishte konfirmuar qartësisht se ai ishte konsultuar vetëm me Sylën e jo Krasniqin.