Mbrëmë në KQZ arritën 36,500 pako me fletëvotime nga Diaspora
Kanë arritur në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pakot e para me fletëvotimet nga Diaspora. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. “Mund t’iu konfirmoj së gjatë mbrëmjes së sotme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë sjellë 36,500 pako me fletëvotime të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës, në kutitë…
Lajme
Kanë arritur në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pakot e para me fletëvotimet nga Diaspora.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Mund t’iu konfirmoj së gjatë mbrëmjes së sotme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë sjellë 36,500 pako me fletëvotime të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës, në kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, nga Gjermania dhe Zvicra”, ka theksuar ai.
Elezi tutje ka thënë se sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve.
Ai ka thënë se edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja, të cilët do të njoftohen me kohë.
“Aktualisht, është duke u zhvilluar periudha e votimit përmes postës, e cila vlen vetëm për shtetasit që gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit (1) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Kjo periudhë votimi ka filluar më 9 janar dhe do të përfundojë më 8 shkurt 2025”, ka shtuar Elezi.