MBPZhR-ja dhe GIZ, marrëveshje bashkëpunimi për sektorin e vreshtarisë dhe verarisë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvllimit Rural ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me GIZ-in, për sektorin e vreshtarisë dhe verarisë.

Lajme

11/03/2015 22:40

Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes kanë qenë ministri Memli Krasniqi dhe ambasadorja gjermane, Angelika Viets, të cilët sot vizituan disa verari në qytetin e Rahovecit.

DSC_6849

Marrëveshja mes MBPZhR-së dhe GIZ është në kuadër të projektit “Rritja e konkurrueshmërisë së sektorit privat në zonat rurale”. Me këtë marrëveshje të dy palët pajtohen që do të bashkëpunojnë në zhvillimin e strategjive për sektorin e verës, për konceptin e marketingut dhe aktiviteteve promovuese dedikuar tregjeve lokale, rajonale dhe atyre të BE-së, si dhe për adaptimin e kornizës ligjore sipas Acquis Communataire.

“Po ashtu, marrëveshja parasheh mbështetjen financiare për shoqatat e verës dhe vreshtarisë për pjesëmarrje në panaire të verës në Gjermani. Kjo marrëveshje është nënshkruar nga sekretari i MBPZHR-së, Kapllan Halimi, drejtori i GIZ-it në Kosovë, James Macbeth Forbes, drejtori i shoqatës së verës Enologjia, Nevzat Haxhijaha, si dhe presidenti i Shoqatës së Prodhuesve të Rrushit, Afrim Sharku”, njofton MBPZhR.

DSC_6844

Ndërkaq, ministri Krasniqi tha se rrushi dhe vera janë potencial i madh i Kosovës dhe se deri më tani janë arritur rezultate mjaft të mëdha në prodhim dhe eksport.

Ai deklaroi se MBZhR-ja sivjet ka rritur buxhetin për përkrahje të verarisë dhe vreshtarisë.

“Përveç rritjes së buxhetit, ne kemi lehtësuar edhe kriteret këtë vit, duke zgjatur afatin e implementimit të projekteve që mbështeten nga MBZHR-ja e që përbën një lehtësim të madh për sektorin e rrushit në përgjithësi”, ka deklaruar ai.

Ministri falënderoi shtetin gjerman për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Kosovës, në veçanti në sektorin e bujqësisë. Ai tha se Gjermania është një model i punës dhe i përkushtimit dhe Kosova mund të marrë shumë mësim.

DSC_6836

Krasniqi shtoi se fokus i veçantë i ministrisë në këtë mandat do të jetë rritja e sipërfaqeve me vreshta, dhe rritja e kuotës së eksportit në BE.

“Unë kam kërkuar nga Komisioni Evropian që të na rrisin kuotën, sepse ne kemi kapacitete dhe padyshim e meritojmë të jemi të barabartë me vendet e rajonit”, tha Krasniqi.

Ambasadorja gjermane, Angelika Viets tha se projekti për mbështetjen e verarisë bëhet me qëllim që të zhvillohet edhe më shumë ky sektor. Ajo tha se ky sektor ka shumë potencial për të qenë konkurrent në tregun vendor, rajonal dhe evropian.

Kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi tha se projekte si ky ndihmojnë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të komunës dhe zhvillimin e biznesit të qytetarëve të tij. (lajmi.net)