MBPZHR: Fermerët nuk preken nga masat – kontrollet synojnë sigurinë ushqimore dhe treg të drejtë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka deklaruar se respekton të drejtën e fermerëve për të protestuar dhe e kupton shqetësimin e tyre lidhur me ndërprerjen e grumbullimit të qumështit dhe luhatjen e çmimit. Në një komunikatë për media, Ministria thekson se fermerët mbeten partneri kryesor në garantimin e sigurisë ushqimore, ndërsa sqaron se…

Lajme

06/07/2026 19:28

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka deklaruar se respekton të drejtën e fermerëve për të protestuar dhe e kupton shqetësimin e tyre lidhur me ndërprerjen e grumbullimit të qumështit dhe luhatjen e çmimit.

Në një komunikatë për media, Ministria thekson se fermerët mbeten partneri kryesor në garantimin e sigurisë ushqimore, ndërsa sqaron se ata nuk janë subjekt i procedurave administrative që janë duke u zhvilluar.

Sipas Ministrisë, këto procedura lidhen ekskluzivisht me respektimin e detyrimeve ligjore nga operatorët e biznesit ushqimor dhe nuk cenojnë punën apo interesin e fermerëve.

Institucioni bën të ditur se po bashkëpunon me të gjitha institucionet relevante dhe përfaqësuesit e sektorit për të siguruar vazhdimësinë e grumbullimit të qumështit dhe shmangien e dëmeve ekonomike për fermerët.

Në komunikatë theksohet se masat e ndërmarra nuk janë kundër industrisë së përpunimit, por synojnë forcimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorit dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

Ministria ka intensifikuar kontrollet zyrtare, analizat laboratorike dhe raportimin e detyrueshëm për lëndët e para në sektorin e qumështit, duke theksuar se zbatimi i ligjit është i njëjtë për të gjithë operatorët.

“Kur respektohen standardet mbrohet konsumatori, fermeri dhe konkurrenca e ndershme,” thuhet në komunikatë, duke shtuar se mosrespektimi i rregullave dëmton besimin në treg dhe prodhimin vendor.

Ministria mbetet e përkushtuar për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik, ndërsa u bën thirrje të gjithë operatorëve të bashkëpunojnë për një sektor të qëndrueshëm, transparent dhe konkurrues të qumështit. /Lajmi.net/