Mblodhën nënshkrimet e deputetëve, LDK dorëzon në ZRRE kërkesën për anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë

Lidhja Demokratike e Kosovës i është drejtuar sot Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike me kërkesën për anulimin e dy vendimeve. Për këtë kërkesë, LDK ka mbledhur nënshkrimet e deputetëve në seancën e kaluar. LDK-ja kërkon nga ZRRE-ja anulimin e vendimit që ka çuar në rritjen e tarifave të energjisë-elektrike prej 16.1 %, si dhe…

Lajme

12/05/2025 11:19

Lidhja Demokratike e Kosovës i është drejtuar sot Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike me kërkesën për anulimin e dy vendimeve.

Për këtë kërkesë, LDK ka mbledhur nënshkrimet e deputetëve në seancën e kaluar.

LDK-ja kërkon nga ZRRE-ja anulimin e vendimit që ka çuar në rritjen e tarifave të energjisë-elektrike prej 16.1 %, si dhe vendimin ku obligon 1 mijë e 300 kompani të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.

Në lidhje me këtë çështje, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami bëri të ditur se tanimë e kanë dorëzuar në ZRRE kërkesën për anulimin e këtyre dy vendimeve me nënshkrimet e deputetëve.

Kurse në njoftimin për media nga LDK-ja u tha se “Sot, edhe zyrtarisht është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) kërkesa e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputetëve tjerë mbështetës për anulimin ose shtyrjen e vendimit të ZRrE-së për largimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike. Me të njëjtën shkresë është kërkuar edhe anulimi i vendimit për rritjen e çmimit të energjisë për ekonomitë familjare.”

Iniciativa e Lidhjes Demokratike të Kosovës është nënshkruar nga 30 deputetë dhe është dorëzuar në ZRrE nga nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Visar Azemi.

“Ky është vetëm një hap për të mbrojtur interesin e qytetarëve përballë një vendimi që do të ketë pasoja në vështirësimin e jetës së secilit qytetar e biznes në Kosovë. Do të ketë edhe veprime tjera sapo të themelohen institucionet e dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit që janë bllokuar nga Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë“./Lajmi.net/