Mbledhja e KS-së së OKB-së – përplasjet ndërmjet Gërvallë dhe Gjuriq dhe deklaratat e përfaqësuesve amerikanë, britanikë e francezë

Përplasjet ndërmjet ministres Gërvalla dhe atij të Serbisë, Gjuriq në mbledhjen e KS-së së OKB-së dhe Gërvalla në OKB: “Kosovo Metohija” është shprehje e ambicieve hegjemoniste, Serbia është kërcënim real për rajonin Një përplasje e ashpër verbale ishte në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ndërmjet ministres së Punëve të…

Lajme

22/10/2025 08:53

Përplasjet ndërmjet ministres Gërvalla dhe atij të Serbisë, Gjuriq në mbledhjen e KS-së së OKB-së dhe

Gërvalla në OKB: “Kosovo Metohija” është shprehje e ambicieve hegjemoniste, Serbia është kërcënim real për rajonin

Një përplasje e ashpër verbale ishte në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ndërmjet ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq.

Gërvalla, ka mbajtur një fjalim të ashpër në mbledhjen e KS-së së OKB-së, ku ka theksuar se termi “Kosovo Metohije” është një mbetje e gjuhës hegjemoniste serbe dhe një simbol i pretendimeve të Serbisë mbi Kosovën.

“Më lejoni ta sqaroj se nuk ka ‘Kosovë Metohi’. Nuk ekziston, zonja dhe zotërinj. Kosova Metohi është një shprehje e qartë e ambicieve hegjemoniste të Serbisë mbi Kosovën. Është gjuha e vjetër e Slobodan Milosheviqit dhe e atyre që ende e ndjekin”, u shpreh Gërvalla.

Ajo tutje potencoi se Kosova është vendi më pro NATO-s dhe më pro SHBA-së në botë.

“Ne jemi vendi më pro-NATO dhe më pro-SHBA në botë. Rreth 13 mijë njerëz u vranë nga mizoritë serbe të nxitura nga Milosheviqi – dhe presidenti i tij gjatë atij gjenocidi ishte Z. Vuçiq, i cili sot është president i Serbisë”, ka shtuar ajo.

Institucionet lokale të Suharekës koordinohen për mirëmbajtjen e rrugëve dhe sigurinë gjatë dimrit
Suhareka
Institucionet lokale të Suharekës koordinohen për mirëmbajtjen e rrugëve dhe sigurinë gjatë dimrit
Gërvalla ka paralajmëruar se Serbia vazhdon të paraqesë një kërcënim real për rajonin, përmes propagandës së gjerë shtetërore dhe përgatitjeve të mundshme për agresion.

“Ne shohim çdo ditë makinerinë e pamëshirshme të propagandës në mediat e kontrolluara nga Vuçiq, që helmon shoqërinë serbe dhe përhap urrejtje. Në të gjithë Serbinë mund të shihni murale e grafite që thërrasin ‘kur ushtria kthehet në Kosovë’ – jo ‘nëse’, por ‘kur’. Ata nuk i fshehin qëllimet e tyre”, ka theksuar ajo.

Në fund të fjalës së saj, ministrja ka bërë thirrje për dialog të vërtetë me Serbinë, duke kritikuar sjelljen e presidentit Vuçiq si të bazuar në “mashtrim, tradhti ndaj BE-së dhe luftë hibride ndaj fqinjëve”.

“Ne kemi nevojë për një dialog real, jo për mashtrime. Strategjia e Vuçiqit ndaj BE-së është tradhti, ndërsa ndaj fqinjëve – luftë hibride deri në agresion paramilitar”, ka përfunduar Gërvalla.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ka paraqitur ankesën e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së lidhur me mbylljen e strukturave paralele serbe në Kosovë dhe situatën e të drejtave të komunitetit serb.

Gjatë shqyrtimit të raportit periodik për Kosovën, Gjuriq deklaroi se qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka shkatërruar 128 institucione që ai i konsideron jetike në komunat me shumicë serbe, duke përfshirë mbrojtjen sociale, postën, pensionet dhe punësimin. Sipas tij, këto veprime po dëmtojnë trashëgiminë e paqes që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, arriti gjatë mandatit të tij të parë për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë

“Të drejtat themelore të serbëve jo vetëm që po injorohen, por po gërryhen sistematikisht. Kjo është një betejë për siguri dhe mbijetesë”, tha Gjuriq.

Ministri serb gjithashtu u fokusua te zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke theksuar se Lista Serbe ka fituar në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe dhe se fryma serbe në Kosovë vazhdon të jetë e pathyeshme. Ai pretendoi se kjo qëndrueshmëri është një formë mosbindjeje ndaj presionit dhe frikësimit.

Gjuriq ngriti shqetësime edhe për praninë e dronëve luftarakë kamikazë të tipit Skydagger në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, duke e konsideruar këtë një kërcënim për ambientin e sigurisë. Ai akuzoi përshpejtimin e militarizimit të territorit nga FSK dhe blerjen e pajisjeve të armatosura si rreziqe për stabilitetin lokal.

Në përfundim, Gjuriq përsëriti kërkesën e Serbisë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, një strukturë që sipas tij do të mbrojë të drejtat e serbëve në vend.

SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar në OKB: Kosova pa krizë sigurie, UNMIK-u duhet të përfundojë

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Jeff Bartos, dhe përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar, Jennifer MacNaughtan, kanë dhënë mesazhe të njëzëshme për situatën në Kosovë, duke theksuar se vendi nuk ka krizë sigurie dhe se UNMIK-u duhet të përfundojë.

Bartos deklaroi se UNMIK-u ka humbur funksionin e tij fillestar dhe tashmë është bërë “një mision paqeruajtës pa paqeruajtës”.

Ai shtoi se mbi 80 për qind e buxhetit të misionit shkon për pagat e stafit, për funksione që mund të kryhen nga organizata të tjera, dhe se takimet periodike për Kosovën në Këshillin e Sigurimit janë të panevojshme.

Përfaqësuesi amerikan bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë tensionet dhe të ndërtojnë paqen dhe stabilitetin me njohjen e ndërsjellë si qëllim përfundimtar.

Nga ana e saj, përfaqësuesja britanike Jennifer MacNaughtan theksoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe të rrugës së saj euroatlantike.

“Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës,” deklaroi ajo.

MacNaughtan gjithashtu komentoi sulmin terrorist në Banjskë, duke thënë se llogaridhënia për këtë incident dhe për sulmet ndaj KFOR-it është pritur shumë gjatë.

Ajo inkurajoi progres të shpejtë drejt formimit të qeverisë në Kosovë dhe përgëzoi mbajtjen e qetë dhe demokratike të procesit zgjedhor lokal.

Përfaqësuesja britanike theksoi se rishikimi strategjik i UNMIK-ut është i nevojshëm dhe është pritur shumë gjatë.

Britania dhe Franca në OKB: Kosova duhet njohur ndërkombëtarisht, kriminelët e Banjskës të gjykohen

Britania e Madhe ka bërë thirrje ndaj shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se njohja është thelbësore për stabilitetin afatgjatë në rajon dhe zhvillimin e plotë të vendit.

Përfaqësuesja britanike në Këshillin e Sigurimit të OKB-së deklaroi se Mbretëria e Bashkuar mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe të rrugës së saj euroatlantike.

“Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës,” tha ajo.

Britania gjithashtu bëri thirrje që Serbia të dorëzojë Milan Radoiçiqin dhe kritikoi sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Përfaqësuesja britanike inkurajoi progres të shpejtë drejt formimit të qeverisë dhe përgëzoi “mbajtjen e qetë dhe demokratike” të procesit zgjedhor lokal.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Francës në OKB, Jay Dharmadhikari, kërkoi që kryesit e sulmit terrorist në Banjskë të sillen para drejtësisë.

“Është e papranueshme që kryesit e sulmit në Banjskë të mbesin në liri më shumë se dy vjet pas këtyre ngjarjeve. Është kritike që të gjithë kryesit të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë,” tha Dharmadhikari.