Mbi 600 mijë euro dëme nga vërshimet në Kamenicë

Dëmet e shkaktuara nga vërshimet e fundit që kanë përfshirë edhe komunën e Kamenicës, arrijnë deri mbi gjysmë milioni euro. Kryetari i kësaj komune, Begzad Sinani u ka bërë thirrje institucioneve qendrore që të ndihmojnë fermerët e fshatrave të dëmtuara.

Lajme

27/04/2014 13:13

Sipas një vlerësimi që ka bërë komisioni komunal i Komunës së Kamenicës, dëmet që kanë shkaktuar vërshimet e fundit në disa fshatra të Kamenicës, kapin vlerën deri në 631 mijë euro, derisa janë prekur rreth 72 hektarë tokë bujqësore.

Begzad Sinani, kryetar i Komunës së Kamenicës, tha për rajonipress se kjo gjendje e rëndë është menaxhuar drejt dhe me efikasitet nga organet komunale. 

Sipas tij, është  intervenuar me kohë në ato vende ku është kërkuar nevoja dhe ndihma nga banorët e rrezikuar.

“Unë shpresoj që ministritë përkatëse do t`i përgjigjen pozitivisht kërkesës sonë për të kompensuar fermerët e vyeshëm të Kamenicës, të cilët i mbajnë familjet e tyre nga tokat që tashmë i ka vërshuar uji”, tha Sinani.

Ndërsa, zëdhënësi i Komunës, Faton Biqkaj tha se kjo shifër e madhe e dëmeve është e papërballueshme për buxhetin komunal.  

“Menjëherë pas kompletimit të raportit nga ana e komisionit, i jemi drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës, asaj të Bujqësisë, Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe vet Zyrës së kryeministrit, në mënyrë që me intervenimet e tyre të zbutet gjendja e rënduar në fshatrat e Kamenicës\”.

Fshatrat më të prekurat janë Krileva, Strezoci, Koretini, Hogoshti, Muqiverci, Rogana, Kopernica, Desivojca, Shipashnica, dhe Topanica.