Mbi 60 vendime të paligjshme: Si Kurti dhe ministrat e tij e shkelën Kushtetutën?
Mbi 60 vendime të qeverisë në detyrë të Kosovës dyshohet se janë të kundërligjshme dhe anti-kushtetuese. Ato janë miratuar pas datës 27 mars kur kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e kabintetit qeveritar u certifikuan si deputetë të legjislaturës së IX. Kurti dhe ministrat e tij shfrytëzuan mandatin kundër kushtetues si zyrtarë me post ekzekutiv derisa…

Lajme
Mbi 60 vendime të qeverisë në detyrë të Kosovës dyshohet se janë të kundërligjshme dhe anti-kushtetuese.
Ato janë miratuar pas datës 27 mars kur kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e kabintetit qeveritar u certifikuan si deputetë të legjislaturës së IX.
Kurti dhe ministrat e tij shfrytëzuan mandatin kundër kushtetues si zyrtarë me post ekzekutiv derisa njëkohësisht janë të certifikuar si deputetë, tha Gjykata Supreme në një aktgjykim të publikuar më 7 korrik.
Për më shumë se tre muaj, kabineti i qeverisë në detyrë mbajti dhjetë mbledhje dhe miratoi më afër 100 vendime. Mbi 60 prej tyre janë vlerësuar si të paligjshme nga organizatat dhe anëtarë të shoqërisë civile që monitorojnë punën e ekzekutivit.
Anëtari i Demokracisë në Veprim (DnV) tha mbi 60 vendime që qeveria i ka miratuar pas 27 marsit janë në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Sipas tij, ndikimi financiar i vendimeve kap vlerën e rreth 60 milionë eurove.
“Në kuptimin krejt formal të njëjtit nuk ka logjikë që të jenë në ato pozita, por shkuarja në zyrë nuk është shkelja më e madhe, kemi të bëjmë më problemin që të njëjti po nënshkruajnë vendime. Në planin parimor, në zyrë nuk do të duhej të shkonte as kryeministri as ministrat”, tha Cakolli të martën.
Në një vështrim prapa në mbledhjet e qeverisë në detyrë, të mbajtura pas datës 27 korrik, vërehet se Kurti dhe ministrat e tij – deputetët e certifikuar – kanë miratuar vendime të cilat janë në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë, i cili përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e një qeverie në largim.
Ky Ligj sqaron shumë qartë se qeveria në dorëheqje kryen vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara me planin vjetor të qeverisë dhe Ligjin vjetor për buxhetin, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, i cili e shpalli të paligjshëm një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Në mbledhjen e parë të qeverisë në detyrë, më 28 mars, vetëm një ditë pas certifikimit si deputetë të shumicës prej anëtarëve të saj, kabineti miratoi raporte financiare, aprovoi një udhëzim administrativ për ambalazhimin dhe mbeturinat e ambalazhit, si dhe emëroi kundërligjshëm bordin e një ndërmarrje publike.
Në këtë mbledhje, qeveria në detyrë emëroi anëtarët e rinj të Bordit Drejtues të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrogjeni Jugor” në Prizren, ani pse në Ligjin për Qeverinë specifikohet qartë se qeveria në detyrë nuk mund të emërojë persona në pozita të larta drejtuese.
Në po të njëjtën mbledhje, qeveria në detyrë aprovoi një kërkesë të Telekomit të Kosovës për huamarrje në vlerë prej 10 milionë euro.
Në mbledhjen e 29 majit, në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën, qeveria në detyrë emëroi në poste të larta drejtuese një drejtoreshë ekzekutive të Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur. Vazhdoi me emërimin e një drejtoreshe në Inspektoratin e Arsimit dhe një tjetre në Agjencinë e Metrologjisë në Ministrinë e Tregtisë.
Më 27 qershor, në një tjetër mbledhje të ekzekutivit, qeveria në detyrë e kryeministrit Kurti, të certifikuar si deputet, ndau katër milionë euro për lirimin e mërgimtarëve nga pagesa e polisës së sigurimit.
Vendimet që ndikojnë me miliona euro vlerësohen të paligjshme dhe anti-kushtetuese, sipas një aktgjykimi të Gjykatës Supreme të shpallur më 7 korrik.
Aktgjykimi i Supremes e shpalli të paligjshëm një udhëzim administrativ të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për çështjen e arkave fiskale. Në arsyetim, paneli gjykues i Supremes vlerësoi se akti është i paligjshëm për shkak se qeveria në detyrë nuk ka mandat të nxjerrë udhëzime administrative.
“Qeveria në dorëheqje nuk ka legjitimitet për nxjerrjen e një akti asaj i ka skaduar mandati dhe vepron vetëm për çështjet të cilat domosdoshmërisht duhet të ndërhyjnë dhe jo të nxjerr udhëzime administrative për reformën e fiskalizimit të subjekteve tatimore, kjo është politikë e cila duhet të zhvillohet nga qeveria e cila ka legjitimitet dhe jo nga Qeveria në dorëheqje”, sipas aktgjykimit të Supremes.
Ministri në detyrë, Hekuran Murati, e kundërshtoi vendimin e Gjykatës Supreme, duke e cilësuar si “absurd” dhe duke kritikuar publikisht me emër gjyqtarët e Supremes.
“Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale,” tha ai.
Edfhe qeveria në detyrë shprehu “shqetësim” dhe e kundërshtoi aktgjykimin e Supremes, duke e cilësuar atë si “të pabazuar në ligj” dhe “arbitrar”.