​Mbi 60 raste të trafikimit me njerëz në gjashtë muajt e parë të vitit në Kosovë, arrestohen 120 persona të dyshuar

Fëmijët, gratë dhe personat në kushte të vështira ekonomike mbeten më të rrezikuarit nga trafikimi i qenieve njerëzore në Kosovë. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2025 janë regjistruar mbi 60 raste të trafikimit, ndërsa janë arrestuar mbi 120 persona të dyshuar në lidhje me këto veprime kriminale. Sociologë dhe ekspertë të çështjeve sociale…

Lajme

30/07/2025 16:52

Fëmijët, gratë dhe personat në kushte të vështira ekonomike mbeten më të rrezikuarit nga trafikimi i qenieve njerëzore në Kosovë. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2025 janë regjistruar mbi 60 raste të trafikimit, ndërsa janë arrestuar mbi 120 persona të dyshuar në lidhje me këto veprime kriminale.

Sociologë dhe ekspertë të çështjeve sociale theksojnë se kjo dukuri po shfaqet sidomos përmes shfrytëzimit të fëmijëve për lëmoshë dhe rasteve të trafikimit seksual në banesa apo motele pa kontroll institucional.

Ata kritikojnë ashpër mungesën e angazhimit serioz nga institucionet, duke e cilësuar si një neglizhencë të thellë në parandalim, mbikëqyrje dhe mbrojtje të viktimave.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës gjatë periudhës janar – qershor 2025, janë regjistruar 61 raste të trafikimit, ndërsa 121 persona janë arrestuar si të dyshuar në lidhje me këto veprime kriminale.

Në përgjigjen me shkrim të Policisë së Kosovës për KosovaPress thonë se nga këto 61 raste për trafikim me njerëz janë regjistruar 4 raste. Ndërsa, për mundësim apo detyrim në prostitucion janë regjistruar 13 raste.

PK-ja bënë të ditur se janë identifikuar 8 viktima të trafikimit.

“Policia e Kosovës, konkretisht antitrafikimi me qenie njerëzore (DHTNJ) në fushën e luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, gjatë periudhës gjashtë mujore janar – qershor 2025 janë regjistruar gjithsej 61 raste, janë arrestuar 121 persona të dyshuar dhe janë paraqitur 33 kallëzime penale ndaj 74 personave të dyshuar si dhe 28 fletëparaqitje për kundërvajtje ndaj 56 personave. Prej tyre, për: a) trafikim me njerëz -janë regjistruar 4 raste; b) Mundësim apo detyrim në Prostitucion – janë regjistruar 13 raste c) Marrje me prostitucion – janë regjistruar 30 raste d) ndërsa për vepra të tjera të kësaj natyre – janë regjistruar 14 raste. Janë identifikuar 8 viktima të trafikimit”, thonë në një përgjigje me shkrim për KosovaPress nga Policia e Kosovës.

Eksperti i çështjeve sociale, Vebi Mujku nënvizon veçanërisht shfrytëzimin e fëmijëve për lëmoshë si një nga format më të dukshme të trafikimit në përditshmëri. Sipas tij, raste të tjera përfshijnë shfrytëzimin seksual nëpër motele apo banesa me qira, të cilat siç potencon ai shpeshherë funksionojnë pa asnjë lloj kontrolli institucional.

Po ashtu, ai përmend raste të trafikimit të personave për qëllime të tjera kriminale si kontrabanda apo përdorimi për shpërndarje të substancave narkotike.

“Format e trafikimit janë të ndryshme. Ne të gjithë jemi dëshmitarë dhe po shohim çdo ditë që kemi në formën sidomos tek pjesë e lëmoshë kërkimit, fëmijët që janë të detyruar të kërkojnë lëmoshë. Pastaj e kemi shfrytëzimin seksual. Kemi viktima të trafikimit të cilat shfrytëzohen qoftë nëpër motele të ndryshme apo nëpër këto shtëpitë apo banesat të cilat merren me qira dhe nuk ka asnjë kontroll kush qëndron mbrapa tyre ose kush hyn ose del…Ka raste edhe kur shfrytëzohen edhe për kontrabandë qoftë për trafikim ose për blerje të substancave narkotike dhe formave të tjera që ndikojnë drejtpërdrejt jetën e tyre”, thotë Mujku.

Krahas këtyre, Mujku kritikon mungesën e përkushtimit të institucioneve shtetërore, duke e cilësuar si një neglizhencë të theksuar, si në aspektin e parandalimit, ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve për viktimat.

Ai sugjeron masa konkrete si regjistrimi i banesave që jepen me qira dhe kontrollet në motele.

“Institucionet duhet të punojnë në formë të rregullt. Pastaj, Ministria e Industrisë, Tregtisë të ketë parasysh se kush po merr licencë. Si po funksionojnë këto institucione. Të bëhet regjistrimi i banesave që lëshohen me qira, kontrolle nëpër motele. Institucionet kanë një neglizhencë shumë të madhe, fillimisht te pjesa e parandalimit pastaj edhe kur është tek ofrimi i shërbimeve, po ashtu edhe këtu kemi një neglizhencë shumë të madhe”, potencon Mujku.

Edhe sociologu Genc Xërxa thekson se gratë, fëmijët, emigrantët dhe personat që jetojnë në kushte të rënda ekonomike janë më të rrezikuarit për trafikim.

Në rastin e Kosovës, Xërxa thotë se vendi shërben si një pikë tranziti për rrjetet kriminale që merren me trafikim, por sipas tij ka edhe raste të shfrytëzimit të brendshëm, ku fëmijët detyrohen të kërkojnë lëmoshë.

Ndër të tjera, Xërxa kritikon mungesën e angazhimit serioz të institucioneve në aspektin legjislativ dhe në forcimin e sigurisë dhe drejtësisë për ta luftuar këtë dukuri.a

“Grupet më të atakuara janë kategoritë sociale brenda shoqërisë që janë më të brishta. Por, më së shumti atakohen gratë, fëmijët emigrantët apo të gjithë ata pjesëtarë të shoqërisë që gjenden në gjendjen të mjerueshme apo skaj varfërisë. Shumicën e rasteve në qoftë se kemi të flasim për Kosovën. Kosova është vend trazitor i këtij fenomeni por edhe tek ne ka indikacione që rrjete të ndryshme kriminale i s’forcojnë fëmijët që të kërkojnë lëmoshë. Sa i përket prostitucionit është në masë më të kontrolluar dhe janë vend tranzitor të cilat vijnë nga vende të ndryshme me të lindjes të cilat qarkullojnë në Kosovë. Kosova shumë pak ka bërë në asketin legjislativ dhe në ruajtjen e sigurisë e të drejtësisë në këtë sferë…Ky fenomen edhe sot në mbarë botën ekziston si mjaftë i shprehur dhe shumica e shteteve mundohen të bëjnë politika të ndryshme minimizuar sa më shumë”, thotë Xërxa.

Ndërkaq, në fushën e luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 118 raste. Derisa janë arrestuar 160 persona të dyshuar për këtë vepër.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, prej tyre për trafikim me njerëz janë regjistruar 8 raste, ndërsa për marrje me prostitucion janë regjistruar 46 raste.

Krahas kësaj, janë identifikuar 16 viktima të trafikimit, dhe janë asistuar 68 viktima.

Ndryshe, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2013 me anë të rezolutës A/RES/ 68/192, 30 korriku u caktua si Dita Botërore kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore. Në rezolutë thuhet se një ditë e tillë ishte e nevojshme për të rritur ndërgjegjësimin mbi gjendjen e viktimave të trafikimit njerëzor dhe për promovimin, mbrojtjen e të drejtave të tyre.