Mbi 6 zyrtarë të Mbrojtjes së Afërt, disa nga ta me armë të gjata- Siguri “ekstreme” për dy opozitarët, Vjosa Osmani e Lumir Abdixhiku

Ish-presidentja Vjosa Osmani, tani deputete e betuar e Kuvendit të Kosovës vazhdon të jetë “nën siguri” të madhe të ofruar nga shteti. Edhe pse me kritika të mëdha nga opozita se si në fakt zyrtarët shtetërorë po përdorin resurset shtetërore, xhipat e zi e mbrojtje të afërt siç duket hiç keq s’po e lënë as…

Lajme

17/08/2026 09:39

Ish-presidentja Vjosa Osmani, tani deputete e betuar e Kuvendit të Kosovës vazhdon të jetë “nën siguri” të madhe të ofruar nga shteti.

Edhe pse me kritika të mëdha nga opozita se si në fakt zyrtarët shtetërorë po përdorin resurset shtetërore, xhipat e zi e mbrojtje të afërt siç duket hiç keq s’po e lënë as vetë këta të fundit nga opozita.

Madje pikërisht Osmani dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku si zyrtarë tani të partisë së tretë me radhë në Kosovë kanë një numër të madh të zyrtarëve policorë të cilët po përkujdesen për ta.

Në një vizitë të bërë së fundi në Istog, në një ditë krejt të rregullt pa asgjë të jashtëzakonshme në Istog në ditë vikendi, Osmani dhe Abdixhiku morën më vete mbi 6 zyrtarë policorë të cilët qëndronin afër tyre për t’i siguruar.

Madje duke shkuar edhe më larg të njëjtit u panë me armë të gjata, gjë që nuk bëhet zakonisht në ditë të zakonshme.

Ndryshe nga Zyra e Presidencës për lajmi.net ditë më parë deklaruan se ish-presidentja Osmani, vazhdon t’i gëzojë të drejtat e përcaktuara me ligj.

“Ju njoftojmë se ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e saj, znj. Vjosa Osmani, gëzon të drejtat e përcaktuara me Ligjin Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, përkatësisht me nenet 18, 19 dhe 20 të këtij ligji, si dhe me Ligjin Nr. 06/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 2 të tij”.

Por nga presidenca nuk dhanë detaje se si përcaktohet tani Mbrojtja e Afërt, me numër të njëjtë zyrtarësh si për kohën kur Osmani ishte presidente, si tani që është ish-presidente dhe ka bërë betimin si deputete apo ndryshon tani vendimi mbi përcaktimin e numrit./Lajmi.net/