Mbi 53 mijë vota të pavlefshme në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut
Procesi zgjedhor i fundit në Maqedoninë e Veriut ka nxjerrë në pah një fenomen, numri i fletëvotimeve të pavlefshme po shënon një trend në rritje. Sipas Alsat, më shumë se 53 mijë fletëvotimi janë shpallur të pavlefshme vetëm për zgjedhjen e kryetarëve të komunave, nga të cilat mbi 12 mijë janë regjistruar në Qytetin e…

Lajme
Procesi zgjedhor i fundit në Maqedoninë e Veriut ka nxjerrë në pah një fenomen, numri i fletëvotimeve të pavlefshme po shënon një trend në rritje.
Sipas Alsat, më shumë se 53 mijë fletëvotimi janë shpallur të pavlefshme vetëm për zgjedhjen e kryetarëve të komunave, nga të cilat mbi 12 mijë janë regjistruar në Qytetin e Shkupit. Ndërkohë, për zgjedhjen e anëtarëve të këshillave komunalë janë evidentuar 50 mijë e 143 fletëvotimi të pavlefshme, me Shkupin që kontribuon me 13 mijë e 428 prej tyre.
Shprehja e pakënaqësisë politike përmes shkarravitjeve, vendosjes së një X të madh apo mesazheve të shkruara në fletëvotim mbetet një formë e zakonshme e protestës nga votuesit. Në Shkup, të gjitha votat për listën e këshilltarëve të partisë Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqve janë shpallur të pavlefshme, pasi në listë figuronte një kandidate e ndjerë, shkruan Tv Klan, transmeton Klankosova. Ende nuk dihet numri i saktë i votave të marra nga kjo listë, por ndikimi në statistikat e përgjithshme është i dukshëm.
Shifra të larta votash të pavlefshme edhe në komunat e tjera:
Aerodrom: mbi 2 mijë e 400
Butel: rreth 1 mijë e 600
Ohër: afërsisht 1 mijë e 900
Tetovë: mbi 2 mijë e 100
Strumicë: rreth 1 mijë e 300
Çair: rreth 1 mijë e 600
Të dhënat historike tregojnë një rritje të vazhdueshme të votave të pavlefshme:
Zgjedhjet lokale 2017: 11 mijë e 472 për kryetarë komunash dhe 13 mijë e 367 për këshilltarë
Zgjedhjet lokale 2021: 37 mijë e 859 vota të pavlefshme
Zgjedhjet presidenciale 2024: 24 mijë e 305 vota të pavlefshme
Zgjedhjet parlamentare 2024: 27 mijë e 127 vota të pavlefshme
Nga 1 milionë e 832 mijë e 415 qytetarë me të drejtë vote, 885 mijë e 085 morën pjesë në votim në 3 mijë e 474 qendra votimi. Prej tyre, 831 mijë e 361 fletëvotimi u konsideruan të vlefshme.