Mbi 5 mijë raportime me SMS

Çdo i katërti votues që ka dërguar mesazh tek “Voto dhe Vëzhgo” , duke raportuar probleme me listën e votuesve, ku dominojnë ato që tregojnë për personat e vdekur që akoma figurojnë në lista.

Lajme

03/11/2013 19:40

Mbi pesë mijë qytetarë kanë raportuar për parregullsi në kuadër të fushatës “Voto dhe Vëzhgo” të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, njofton ky fondacion përmes një komunikate për medie.

Të ndara nëpër kategori sipas natyrës së parregullsive, çdo i katërti votues që ka dërguar mesazh tek “Voto dhe Vëzhgo” , raportoi probleme me listën e votuesve, ku dominojnë ato që tregojnë për personat e vdekur që akoma figurojnë në lista.

Çdo i shtati votues ka raportuar probleme me menaxhimin e keq të vendvotimit, nga problemet me spërkatje të gishtave deri te abuzimet e shumta të komisionereve, derisa në orët e mbrëmjes u raportuan edhe raste të ndaljes së rrymës elektrike, raporton RFE.

Çdo i treti, raportoi presione të natyrës së ndryshme tek votuesit ose probleme në kabinën votuese, siç është fotografimi i votës dhe asistimi, ose siç thuhet në komunikatën e “Voto dhe Vëzhgo”, drejtimi i votës nga kryefamiljari.

Edhe pse nuk ishte kërkuar, çdo i katërti raportoi se gjithçka ishte në rregull me votimin.

Të gjithë sms-ët u përpunuan nga 30 operatorë, të cilët i kanë kategorizuar parregullsitë, njofton “Voto dhe Vëzhgo”.

Kjo është hera e parë, madje edhe në Europë, ku votuesit raportojnë në mënyrë të tillë për parregullsitë, thuhet në komunikatën e “Voto dhe Vëzhgo”, ndërsa në fushatë kanë marrë pjesë edhe institucione, media dhe biznese në Kosovë.