Mbi 40 mijë të huaj vizituan Kosovën në fundvit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Hotelerisë për muajin dhjetor 2025, sipas të cilave është shënuar rritje e numrit të vizitorëve në hotele krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Sipas ASK-së, gjatë dhjetorit 2025 në hotelet e Kosovës janë regjistruar gjithsej 68 mijë e 293 vizitorë, prej të cilëve…
Lajme
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Hotelerisë për muajin dhjetor 2025, sipas të cilave është shënuar rritje e numrit të vizitorëve në hotele krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Sipas ASK-së, gjatë dhjetorit 2025 në hotelet e Kosovës janë regjistruar gjithsej 68 mijë e 293 vizitorë, prej të cilëve 27 mijë e 776 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 40 mijë e 517 vizitorë ishin të huaj.
Krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, kur ishin regjistruar 64 mijë e 380 vizitorë, numri i përgjithshëm i vizitorëve është rritur për 6.1 për qind.
Numri i përgjithshëm i net-qëndrimeve ishte 132 mijë e 148, prej të cilave 71 mijë e 624 net-qëndrime (54.2 për qind) u realizuan nga vizitorët e huaj, ndërsa 60 mijë e 524 net-qëndrime (45.8 për qind) nga vizitorët vendorë.
Sa i përket vizitorëve të brendshëm, rajoni i Pejës prin me numrin më të madh të vizitorëve, gjithsej 9 mijë e 655, si dhe me 26 mijë e 550 net-qëndrime. Rritje e theksuar e vizitorëve vendorë është shënuar edhe në rajonin e Prishtinës dhe Prizrenit, ndërsa rënie është vërejtur në disa rajone të tjera.
Ndërkohë, numri i vizitorëve të huaj ka shënuar rritje prej 2.5 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2024. Në total, gjatë dhjetorit 2025, Kosova është vizituar nga 40 mijë e 517 turistë të huaj, ku numri më i madh i tyre ishte nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia.