Mbi 35 mijë përdorues të drogave në Kosovë, mosha e fillimit zbret në 16 vjeç
Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të Paligjshëm, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) dhe organizata Labyrinth kanë bërë thirrje për veprim urgjent institucional, duke paralajmëruar për rritjen e përdorimit të substancave narkotike te fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë. Sipas komunikatës, Kosova po përballet me sfida serioze në parandalimin…
Lajme
Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të Paligjshëm, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) dhe organizata Labyrinth kanë bërë thirrje për veprim urgjent institucional, duke paralajmëruar për rritjen e përdorimit të substancave narkotike te fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë.
Sipas komunikatës, Kosova po përballet me sfida serioze në parandalimin dhe trajtimin e fëmijëve që bien viktimë e abuzimit me droga, ndërsa vlerësohet se numri i përgjithshëm i përdoruesve të narkotikëve në vend ka kaluar 35 mijë, transmeton lajmi.net.
Një nga shqetësimet kryesore, sipas të dhënave të organizatës Labyrinth, është ulja e moshës së fillimit të përdorimit të drogave.
“Bazuar në bazën e të dhënave të Labyrinth, mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë nga 18 vjeç në vitin 2018, në 16 vjeç në periudhën e fundit.”
Në komunikatë thuhet se marihuana mbetet substanca më e përdorur në Kosovë, ndërsa viteve të fundit është vërejtur rritje e përdorimit të kokainës në popullatën e përgjithshme, si dhe rritje e lehtë e përdorimit të heroinës, veçanërisht në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Sipas KOMF dhe Labyrinth, faktorët që ndikojnë në përdorimin e hershëm të drogave përfshijnë disponueshmërinë e substancave në treg, traumat në fëmijëri, mungesën e informimit për pasojat, presionin shoqëror dhe kureshtjen e të rinjve.
Organizatat vlerësojnë se vendi vazhdon të ketë mungesë të shërbimeve parandaluese dhe rehabilituese, si dhe kapacitete të pamjaftueshme për identifikimin dhe trajtimin e fëmijëve që përdorin substanca narkotike. Sipas tyre, profesionistët përballen me mungesë të ekipeve multidisiplinare, reparteve të specializuara dhe programeve të rehabilitimit për fëmijët.
“Për ta adresuar këtë situatë alarmante, është thelbësore që të ndërmerren masa urgjente për rritjen e ndërgjegjësimit mbi rreziqet e përdorimit të drogave.”
KOMF dhe Labyrinth kërkojnë nga institucionet përgjegjëse zhvillimin e programeve të qëndrueshme për parandalimin dhe trajtimin e varësisë nga droga, zgjerimin e shërbimeve të specializuara për fëmijët dhe të rinjtë, si dhe mbështetje më të madhe për prindërit dhe kujdestarët në përballimin e rasteve të varësisë.
Komunikata e plotë:
Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të Paligjshëm, KOMF dhe Labyrinth kërkojnë adresim urgjent të situatës dhe veprim të koordinuar nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga përdorimi i substancave narkotike.
Kosova po përballet me sfida të shumta në parandalimin dhe trajtimin e fëmijëve viktima të abuzimit me narkotikë. Viteve të fundit, vlerësohet se numri i përgjithshëm i përdoruesve ka kaluar shifrën prej 35 000 ndërkohë që fëmijët dhe adoleshentët përdorues vazhdojnë të bëjnë pjesë çdo vit e më shumë në këtë shifër. Bazuar në bazën e të dhënave të Labyrinth, mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë nga 18 vjeç në vitin 2018, në 16 vjeç në periudhën e fundit.
Marihuana vazhdon të jetë substanca më e përdorur në Kosovë. Përderisa deri në vitin 2018 ka pasur një ulje të përdorimit të heroinës tek popullata e përgjithshme, gjatë viteve të fundit vërehet një rritje e lehtë e përdorueseve të heroinës në veçanti te komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, ndërsa ka një rritje të shpejtë dhe shumë të madhe të përdorimit të kokainës tek popullata e përgjithshme.
Arsyet pse fëmijët fillojnë të përdorin droga janë të shumta, përfshirë disponueshmërinë e drogave në treg, traumën e fëmijërisë së hershme, mungesën e informacionit mbi rreziqet e përdorimit të drogave, presionin shoqëror dhe kureshtjen për të provuar gjëra të reja, etj. Përdorimi i drogave sjell pasoja të dëmshme për fëmijën, familjen, duke përfshirë: dëmtimin e shëndetit fizik dhe psikologjik, problemet sociale, kriminalitetin, shpenzimet financiare të mëdha, etj.
Vendi ynë vazhdon të mos sigurojë shërbime dhe programe të strukturuara dhe të qëndrueshme parandaluese dhe rehabilituese të cilat janë më se të nevojshme duke parë trendet në rritje të përdorimit të drogave nga fëmijët dhe adoleshentët. Kosova nuk ofron mjaftueshëm shërbime të qasshme për identifikimin e fëmijëve dhe të rinjve që janë viktima të abuzimit me narkotikë. Ka mungesë të shërbimeve dhe ekipeve mobile në komunitet që do të mundësonin testimin dhe identifikimin e rasteve të mundshme të fëmijëve që përdorin substancat narkotike.
Profesionistët ndeshen me sfida të mëdha në trajtimin e fëmijëve që janë viktima të abuzimit me droga. Ata nuk disponojnë burimet e nevojshme, duke përfshirë ekipe multidisiplinare, reparte të posaçme për fëmijë, për zbatimin e planeve dhe programeve të specializuara për rehabilitim. Profesionistët nuk kanë burimet e nevojshme për të mbështetur prindërit ose kujdestarët në trajtimin dhe mbështetjen e fëmijëve të tyre që janë viktima të abuzimit me droga.
Për ta adresuar këtë situatë alarmante, është thelbësore që të ndërmerren masa urgjente për rritjen e ndërgjegjësimit mbi rreziqet e përdorimit të drogave. Gjithashtu, kërkohet zhvillimi i programeve të strukturuara për parandalimin dhe trajtimin e varësisë nga substancat narkotike në Kosovë dhe zhvillimin e shërbimeve të specializuara për trajtimin e fëmijëve dhe të rinjve përdorues të drogave. Vëmendja duhet të përqendrohet në të rinj dhe adoleshentë për të shmangur fillimin e tyre të hershëm me përdorimin e drogave. Poashtu, është e rëndësishme të zhvillohen programe për fuqizimin e prindërve të fëmijëve përdorues të drogave për të rritur kapacitetet e tyre për kujdesin ndaj fëmijëve përdorues të drogave./lajmi.net/