Mbi 328 mijë qytetarë marrin pensione e beneficione sociale në Kosovë, mbi gjysmë miliardë euro u ndanë nga shteti vetëm në 2025
Skemat pensionale dhe kategoritë e dala nga lufta vazhdojnë të kenë ndarjen më të madhe buxhetore të shtetit. Vetëm gjatë vitit 2025, mbi 328 mijë qytetarë kanë përfituar pensione dhe mbështetje financiare nga shteti, ndërsa vlera totale e pagesave arrin në qindra milionë euro. Ministria për Punë, Familja dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, përmes një…
Lajme
Skemat pensionale dhe kategoritë e dala nga lufta vazhdojnë të kenë ndarjen më të madhe buxhetore të shtetit.
Vetëm gjatë vitit 2025, mbi 328 mijë qytetarë kanë përfituar pensione dhe mbështetje financiare nga shteti, ndërsa vlera totale e pagesave arrin në qindra milionë euro.
Ministria për Punë, Familja dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, përmes një përgjigje për lajmi.net ka thënë se pensioni bazë mbetet skema me numrin më të madh të përfituesve, me mbi 169 mijë qytetarë, pasuar nga pensionet kontributdhënëse me mbi 58 mijë përfitues. Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit shkon edhe për veteranët e luftës, invalidët e luftës dhe kategoritë tjera sociale.
Sipas shifrave zyrtare, vetëm për pensionet bazë gjatë vitit 2025 janë ndarë mbi 267 milionë euro, ndërsa për pensionet kontributdhënëse mbi 173 milionë euro.
Nga skemat tjera pensionale, 21,767 persona kanë përfituar nga skema PPAK, për të cilën janë ndarë mbi 36.4 milionë euro, ndërsa 15,057 qytetarë janë pjesë e skemës së pensioneve të arsimtarëve të viteve ’90-ta, me buxhet mbi 15.5 milionë euro.
Sa i përket kategorive të dala nga lufta, 37,975 veteranë kanë marrë pensione, me një kosto buxhetore prej rreth 88.9 milionë euro në vit. Po ashtu, 12,486 invalidë të luftës kanë përfituar pensione në vlerë mbi 45.8 milionë euro.
Në kuadër të skemave tjera sociale dhe pensionale radhitja e ndarjeve buxhetore është si në vijim:
2,530 persona marrin pension familjar që nga buxheti i shtetit janë ndarë 4 milionë e 264 mijë e 742 euro;
3,482 janë pjesë e skemës PPTP që gjithsej në euro janë shpenzuar 16 milionë e 107 mijë e 580 euro;
1,877 përfitojnë nga skema e të verbërve apo gjithsej në vitin 2025 6 milionë e 388 mijë e 601 euro;
1,818 persona marrin pension si viktima të dhunës sipas Ligjit 04/L-054 apo gjithsej 5 milionë e 864 mijë e 896 e 5 euro;
888 persona janë pjesë e skemës për Trepçën që gjithsej shteti ka ndarë për ta 1 milion e 876 mijë e 684 euro;
936 përfitojnë nga skema FSK apo gjithsej për vitin 2025 5 milionë e 272 mijë e 560 euro;
1,384 nga skema TMK apo gjithsej 3 milionë e 604 mijë e 576 euro dhe
29 persona marrin pension si invalidë të punës gjithsej gjatë 2025-tës kapin vlerën e 51 mijë e 920 euro.
Skemat pensionale në Kosovë përfshijnë pensionet bazë, pensionet kontributdhënëse dhe skemat e veçanta për kategori të ndryshme sociale e të dala nga lufta. Këto pagesa financohen nga buxheti i shtetit dhe konsiderohen një nga sektorët me ndikimin më të madh social dhe ekonomik në vend.
Pensioni bazë u ofrohet qytetarëve mbi moshën 65-vjeçare, ndërsa pensionet kontributdhënëse u takojnë atyre që kanë kontribuar gjatë viteve të punës. Përveç tyre, shteti financon edhe skema të veçanta për veteranët e luftës, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës gjatë luftës dhe kategori tjera të përcaktuara me ligj.
Rritja e vazhdueshme e numrit të përfituesve ka bërë që edhe shpenzimet buxhetore për pensione dhe beneficione sociale të rriten nga viti në vit, duke e bërë këtë sektor një nga shpenzimet kryesore publike në Kosovë. /Lajmi.net/