Mbi 3 mijë e 400 të vdekur nga tërmetet në Turqi dhe Siri

Më shumë se 3.400 njerëz kanë humbur jetën në Turqi dhe Siri nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballësh të Rihterit, i cili i goditi të dyja vendet mëngjesin e hershëm të së hënës dhe lëkundjet tjera pas tij. Qindra persona besohet se ende janë të ngujuar nën rrënoja dhe numri i viktimave pritet…

Bota

06/02/2023 23:18

Më shumë se 3.400 njerëz kanë humbur jetën në Turqi dhe Siri nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballësh të Rihterit, i cili i goditi të dyja vendet mëngjesin e hershëm të së hënës dhe lëkundjet tjera pas tij.

Qindra persona besohet se ende janë të ngujuar nën rrënoja dhe numri i viktimave pritet të rritet. Punonjësit e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet mes rrënojave nëpër qytete dhe në vendbanimet në të gjithë zonën.

Dhjetëra mijëra njerëz që mbetën të pastrehë në Turqi dhe Siri po përballën me një natë në të ftohtë.

Në Gaziantep të Turqisë, një kryeqytet provincial rreth 33 kilometra nga epiqendra e tërmetit, njerëzit u strehuan në qendrat tregtare dhe stadiume. Gjithashtu xhamitë përreth zonës u hapën për të siguruar strehim për të prekurit nga tërmeti.