Mbi 270 mijë mallra të falsifikuara janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës gjatë vitit të kaluar

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Pronësi Industriale ka shënuar Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale. Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se qeveria e ka kuptuar rëndësinë e pronësisë intelektuale, andaj atë e ka shndërruar në politikë publike konkrete. Sipas saj, përmes markave tregtare kanë avancuar në…

Lajme

28/04/2025 12:09

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Pronësi Industriale ka shënuar Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se qeveria e ka kuptuar rëndësinë e pronësisë intelektuale, andaj atë e ka shndërruar në politikë publike konkrete.

Sipas saj, përmes markave tregtare kanë avancuar në ruajtjen e pronësisë intelektuale, derisa përmendi se janë zgjidhur 741 raste të shkeljeve ndër vite të markave tregtare.

Ajo theksoi se pronësia intelektuale është e rëndësishme në shekullin e teknologjisë dhe revolucionit industrial.

Përkitazi me këtë tha se pronësia intelektuale është shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe kulturor të Kosovës.

“Përmes regjistrimit të markave tregtare mbrojmë jo vetëm identitetin e artistëve tanë por edhe pasurinë kulturore të kombit tonë. Ky është një akt i vetëdijshëm politik dhe institucional për të garantuar se puna dhe kontributi i artistëve të mos cenohet dhe të vlerësohet nga shoqëria dhe tregu. Në epokën e teknologjisë dhe globalizimit, ku ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbejnë rreth 90 për qind të pronësisë globale, rëndësia e pronësisë intelektuale është më e madhe se kurrë. Qeveria jonë e ka kuptuar këtë realitet dhe ka shndërruar atë në politikë publike konkrete. Tashmë po e dina se pasuria fizike e cila ka qenë përcaktuese për vlerën e një biznesi është zëvendësuar me pasurinë intelektuale në shekullin e teknologjisë….Janë zgjidhur 741 raste të shkeljeve të markave tregtare që ishin në pritje prej vitesh, një dekadë dhe më shumë duke bërë të qartë se vonesat dhe padrejtësitë nuk janë pjesë e sistemit tonë qeverisës”, tha ajo.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Doganës së Kosovës, Driton Azemi, tha se vitin 2024 kanë pasur 148 kërkesa për veprim doganor në fushën e pronësisë intelektuale.

Po ashtu ai tha se në vitin e kaluar kanë konfiskuar mbi 272 mijë artikuj si mallra të falsifikuara me një vlerë të përgjithshme 12.5 milionë euro.

“Dogana e Kosovës që nga fillimi ka marrë përgjegjësitë dhe rolin e saj me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale dhe i ka kryer të gjitha detyrat e saj. Këtu po e veçoj se vetëm gjatë vitit 2024 ne kemi shqyrtuar 148 kërkesa për veprim doganor në fushën e të drejtave pronësisë intelektuale, ndërkaq 601 kërkesa që kanë të bëjnë me marka tregtare si dhe 40 kërkesa për të drejtat e autorit. Si rezultat i këtij angazhimi dhe falë bashkërendimit të ngushtë me të gjithë akterët të tjerë relevant gjatë vitit 2024 Dogana e Kosovës ka iniciuar 805 raste për verifikimin e mallrave me dyshim për shkelje të pronësisë intelektuale. Ka arritur të konfiskojë mbi 272 mijë artikuj të cilët pas verifikimit janë konstatuar si mallra të falsifikuara me një vlerë të përgjithshme prej 12.5 milionë euro”, theksoi ai.

Krahas kësaj në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale, u diskutua edhe për “Muzika dhe Pronësia Intelektuale: Krijimtaria, Institucionet dhe Mbrojtja Ligjore”.