“Mbi 150 mijë punëtorë u larguan nga Kosova”- E pamundur të mbahen punëtorët me 275 euro rrogë

Largimi i punëtorëve nga Kosova duket se dita ditës është shndërruar në një dukuri në rritje. Mungesa e punëtorëve në Kosovë ka disa muaj që vërehet në shumë sektore, e në disa prej tyre në mënyrë ekstreme. “Kërkojmë punëtorë” na rastis të shohim në dyert e shumë lokaleve, e konkurse të hapura online na bie…

Lajme

05/07/2024 13:18

Largimi i punëtorëve nga Kosova duket se dita ditës është shndërruar në një dukuri në rritje.

Mungesa e punëtorëve në Kosovë ka disa muaj që vërehet në shumë sektore, e në disa prej tyre në mënyrë ekstreme.

“Kërkojmë punëtorë” na rastis të shohim në dyert e shumë lokaleve, e konkurse të hapura online na bie të shohim edhe më shpesh.

Për këtë çështje dhe problematikën e shkaktuar nga mungesa e numrit të punëtorëve, Lajmi.net ka kontaktuar me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Azemi gjatë deklarimit të tij ka folur edhe me shifra, sa i përket largimit të punëtorëve, shifra këto që janë vërtet shqetësuese.

Jusuf Azemi thotë se numri i punëtorëve të larguar nga janari deri në qershor të këtij viti ka kaluar shifrën 150 mijë.

Sipas tij, mungesë e dukshme e punëtorëve vërehet në të gjithë sektorët.

“E them me plot përgjegjësi se nuk ka sektorë në Kosovë që nuk ka mungesë të punëtorëve, por megjithatë janë disa sektorë të cilët disa punëtorë po them jo të kualifikuar mund t’i mbulojnë disa vende të punës. Ndërkaq, një punëtorë dhe një muratorë të kualifikuar në ndërtimtari nuk mund t’a zëvendësojë askush. Dhe po e përsëris, nuk ka profil të punëtorëve që nuk ka mungesë të tyre, edhe atyre që janë më të thjeshtë”, tha ai.

Për procesin e përshpejtuar të ikjes së punëtorëve Azemi fajin i’a hedh Qeverisë dhe kompanive private.

“Qeveria dhe pronarët e kompanive vetëm i kanë përshpejtu ikjet. Me ligjet e tyre, me pagat e tyre, me kontributet e tyre këta e kanë përshpejtu ikjen e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës. Sot në shekullin e 21 ne paguhemi 275 euro, herë me rregull e herë pa rregull”, u shpreh ai.

Azemi ndërkaq mendon që ka edhe kompani të cilat nuk janë të rrezikuara nga ky trend në rritje.

“Nuk them që nuk ka  kompani të mira në asnjë rast, por numri i kompanive të mira është shumë i vogël dhe këto kompani që gjithherë i kanë ndejt afër punëtorit, e kanë pagu djersën e punëtorit, nuk e kanë asnjë trohë rreziku që punëtorët e tyre do t’i ikin nga vendi i punës”, përfundoi ai.

Ndërkaq, në anën tjetër Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica, thotë që ikjen e punëtorëve në sektorin e gastronomisë mund t’a cilësojmë si krizë.

“Është krizë, gastronomia është në vijën e parë të frontit gjithmonë duke e marrë parasysh edhe numrin e bizneseve. Edhe tipin e ekonomisë e kemi të bazuar në tregti e jo në prodhim. Është numër jashtëzakonisht i madh i bizneseve. Po ashtu, duke e marrë parasysh që një i treti gjatë jetës së tij punon diku me gastronomi, normalisht që po”, deklaroi ai.

Vranica thotë se arsyeja e ikjes së punëtorëve në gastronomi është sepse me ta nuk janë marrë mekanizmat e duhur.

“Në gastronomi është një indikator më i frikshëm i ikjes së punëtorëve sepse nuk janë marrë ndoshta mekanizmat e duhur që me e dallu kaq shumë ikjen e punëtorëve përmes platformave, agjensioneve që lidhen me këtë punë, ose më balancimin e fuqisë punëtore, kërkesës dhe ofertës. Nuk është ndërmarrë mjaftueshëm, ka fillu dy tri vitet e fundit mirëpo gjithë këto vite kjo pëlhurë para syve e vendit tonë normal që tash ka me kushtu. Kur nuk merren hapat e duhur në kohën e duhur normal që edhe pasojat kanë me qenë më të mëdhaja”, u shpreh ai.

Ndërsa për pjesën se si bizneset në gastronomi po i’a arrijnë t’a menaxhojnë ikjen e punëtorëve, Vranica tha se një numër i konsiderueshëm i tyre po i ngrisin standardet e kushteve të punëtorëve.

“Disa i rrisin kushtet e punëtorëve, nuk paguajnë më me kesh por përmes bankës. Ja u plotësojnë më shumë nevojat e tyre bazike e shëndetësore, e të cilat rrjedhimisht e jo rastësisht janë më të konkurrueshme. Pastaj, bashkëpunojnë edhe me agjensione të huaja,”, shtoi ai.

Vranica thotë se goditjen më të madhe në këtë mes e marrin bizneset e vogla.

“Normalisht bizneset e mëdha janë duke e menaxhu më mirë, bizneset e mesme janë në rregull, por bizneset e vogla janë të goditura. Mirëpo, më një anë tjetër bizneset e vogla janë edhe të privilegjuara në atë kuptim që bizneset familjare funksionojnë shumë mirë te ne, dhe këto biznese normalisht që e kanë më lehtë edhe t’i përballojnë dhe tejkalojnë sfidat”, përfundoi ai.

Megjithatë, në bazë të këtyre shifrave një dukuri e tillë duket të jetë e frikshme për një vend me një popullsi relativisht të vogël sikur është Kosova.

Problem i madh vazhdon të jetë edhe mungesa e punëtorëve në sektorin e Ndërtimtarisë. Shumë prej kompanive janë duke u detyruar që të marrin punëtorë të huaj, madje nga vende tejet të largta vetëm e vetëm për t’u plotësuar norma e numrit të punëtorëve.

Në lidhje me situatën e krijuar, nga Kompania e Ndërtimit “Lirimi Construction”, thonë se më shumë po përballen me lëvizjet e punëtorëve se sa me ikjen e tyre jashtë vendit.

“Më shumë ka lëvizje se sa ikje reale, shkojnë-kthehen, punojnë pak jashtë. Më shumë ka pas ikje në vitet e fundit se tash. Por lëvizje ka, një javë, dy javë, dhjetë ditë”, thonë ata.

Ndryshe, nga kompania në fjalë thonë se kanë edhe fuqi punëtore nga vende të huaja dhe megjithatë kjo pjesë nuk është sfiduese për ata.

“I kemi katër punëtorë prej Bangladeshit, dhe nuk është problematikë hiq me punu me ata”, përfunduan nga kompania.

Vrull edhe më i madh i ikjes së punëtorëve ishte paraparë të ndodhë pas janarit, pra pas liberalizimit të vizave.  Kërkesat e mëdha për largim nga Kosova dhe gjetja e një zgjidhje tjetër jetese e bëri të frikshme këtë mundësi për Kosovën. Largimi i shumë të rinjve duke kërkuar kushte më të mira të punës, padyshim se ndikoi në zbrasjen e shumë qyteteve, anipse kjo është më pak e vrejtshme në Kryeqytet.

Edhe pse shifrat për 150 mijë punëtorë të larguar janë tejet të larta, kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe zv/kryeministri Besnik Bislimi vazhdimisht kanë deklaruar se largimi nga Kosova s’po bëhet nga të rinjtë por nga gjyshërit, që sipas tyre po ikin të vizitojnë familjarët e tyre./Lajmi.net/