Mbi 1,300 kërkesa për hise në Trepçë

Numri i kompanive, shoqërive të ndryshme aksionare apo edhe punëtorëve që kanë kërkuar hise në Trepçë ka arritur në mbi 1 mijë.

Lajme

20/01/2015 19:14

Për rreth një vit, sa ka zgjatur procesi i pranimit të kërkesave nga kreditorët, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit kanë ardhur 1,303 kërkesa, prej të cilave dy aplikacione janë kërkesa kolektive të punëtorëve të Trepçës, raporton KTV.

Zyrtarë të kësaj agjencie i kanë thënë KTV-së se këto kërkesa ende nuk janë shqyrtuar. Ekspertë të ekonomisë dhe shoqëria civile kanë kritikuar qeverinë që, sipas tyre, s’ka guxim për t’i çuar proceset e mëdha deri në fund. Ata kanë kërkuar që në asnjë mënyrë të mos lejojnë që pasuria e Kosovës të jetë pjesë e negociatave në Bruksel.

Situata e krijuar me Trepçën po përcillet edhe në Bruksel. “Jemi duke e përcjellë situatën nga afër. Është me rëndësi që të shmanget çdo eskalim i mundshëm i situatës. Sidoqoftë, ekzistojnë mundësi të tjera për të shmangur likuidimin e Trepçës. Është mirë që ligji i ri i miratuar të hënën në Kuvend në Prishtinë mundëson më shumë kohë për ta adresuar çështjen”, ka thënë Anca Paduraru.

Përcaktimi i borxheve të vërteta që Trepça ua ka kreditorëve ka mbi 15 vjet që është duke u diskutuar.

Në fillim ishte administrata e UNMIK-ut ajo që kishte nisur procesin për të qartësuar nivelin e borxheve. Një informatë e dhënë tregonte për rreth gjysmë milioni dollarë borxhe që kishte ky gjigant. Edhe në Serbi janë dhënë disa versione sa u përket borxhlinjve të vërtetë të Trepçës, raporton KTV.