Mbi 1.000 njerëz të vrarë në dy ditë në luftën midis Izraelit dhe Hamasit
Mbi 1.000 njerëz të vrarë në dy ditë, të plagosur, pengje e shkatërrime gjithandej. “Sulmi më i keq kundër Izraelit që nga Lufta Yom Kipur”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke iu referuar luftës arabo-izraelite të vitit 1973, e njohur po ashtu si Lufta e Tetorit. E gjitha filloi më 7 tetor, kur…
Bota
Mbi 1.000 njerëz të vrarë në dy ditë, të plagosur, pengje e shkatërrime gjithandej.
“Sulmi më i keq kundër Izraelit që nga Lufta Yom Kipur”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke iu referuar luftës arabo-izraelite të vitit 1973, e njohur po ashtu si Lufta e Tetorit.
E gjitha filloi më 7 tetor, kur militantët palestinezë të Hamasit sulmuan papritur Izraelin nga Rripi i Gazës.
Mijëra raketa u hodhën në lagje të banueshme, luftëtarët hynë brenda komuniteteve, vranë banorë dhe morën pengje.
Në përgjigje, ushtria e Izraelit nisi sulmet nga ajri në Rripin e Gazës, ndërsa Qeveria e vendit shpalli zyrtarisht luftë kundër Hamasit.
“Izraeli do t’i hakmerret fuqishëm Hamasit. Kjo luftë do të marrë kohë. Do të jetë e vështirë”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të dielën e 8 tetorit.
Arsyet e sakta të sulmit të Hamasit nuk janë të qarta, por dhuna mes dy palëve ka qenë në rritje prej muajsh.Komandanti i Hamasit, Mohammed Deif, u bëri thirrje palestinezëve dhe arabëve të tjerë që t’i bashkohen operacionit të grupit kundër Izraelit.
Por, është e paqartë nëse palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor apo gjetkë në rajon, do ta dëgjojnë thirrjen e tij.
Askush “nuk dëshiron të shohë ndonjë përshkallëzim rajonal”, tha kryeministri britanik, Rishi Sunak.
Ai tha se Hamasi dhe mbështetësit e tij janë “plotësisht përgjegjës për aktin e tmerrshëm të terrorit” në Izrael, për “vrasjen e civilëve dhe rrëmbimin e njerëzve të pafajshëm”, raporton REL.
Cila është historia e konfliktit të Izraelit me Hamasin?
Izraeli ka një histori të gjatë armiqësie me Hamasin.Ai luftoi me të në Gazë katër herë dhe kreu shumë operacione të tjera, duke shkaktuar qindra viktima palestineze.
Militantët e Hamasit lëshuan mijëra raketa kundër Izraelit, duke vrarë qindra izraelitë.
Izraeli e akuzon Hamasin për rrëmbimin e qytetarëve izraelitë dhe organizimin e protestave që kërcënojnë kufijtë e tij.Hamasi dhe mbështetësit e tij, në anën tjetër, e akuzojnë Izraelin për shtypjen e palestinezëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre.
Ai udhëheq Rripin e Gazës që nga viti 2007.
Hamasi në tërësi – ose në disa raste krahu i tij ushtarak – cilësohet si grup terrorist nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, si dhe nga fuqi të tjera.