Mbeturinat te shkolla “Meto Bajraktari” rrezikojnë nxënësit, Ahmeti zotohet se do të hiqen vitin tjetër

Një deponi e mbeturinave është krijuar tek Shkolla Fillore “Meto Bajraktari” e cila gjendet në lagjen “Tophane” në Prishtinë.

Lajme

07/11/2017 14:20

Komuna e Prishtinës nuk ka bërë zgjidhje për mbeturinat inerte. Në mungesë të një vendi adekuat, qytetarët po i hedhin ato në afërsi të kontejnerëve. Kështu po ndodhë tash e sa kohë edhe tek kontejnerët e shkollës, shkruan lajmi.net.

“Kjo është pamja përditshme ne hyrje te shkollës fillore Meto Bajraktari, pra ne qendrën e qytetit. Berllogu pastrohet por na nevojitet zgjedhja e problemit për gjithmonë”, kështu i është drejtuar me një kërkesë Komunës së Prishtinës një qytetarë në Platformën digjitale duke treguar edhe pamjet me disa fotografi.

Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili është në balotazh për zgjedhjet e 19 nëntorit me Arban Abrashin e LDK-së është zotuar se nëse bëhet kryetar me berllogun në Prishtinë do të merret nga viti 2018. “Nga viti 2018, mbledhja e mbeturinave do të ndryshojë. Kontratat do të bëhen me Komunën, vendet problematike për kontejnerët do të ridizajnohen (p.sh. kabinat në Dardani), do të vendosen kontejnerët në çdo lagje të papërfshirë dhe do të ketë edhe dallim të kontejnerëve për banorë dhe për hapësira komerciale. Kemi marr edhe ndryshimet buxhetore që na lejojnë këtë dhe kemi kaluar rregulloren e re të mbeturinave. Do të ketë orar të ri logjistik të mbledhjes së mbeturinave.Thjeshtë, Kryeqyteti jonë duhet dhe do të jetë i pastër. Gjatë vitit 2019 do të bëjmë studimin e riciklimit se çka do të bëjmë me mbeturinat tona me besimin se do të fillojmë me waste-to-energy nga viti 2020. Kemi marrëveshjen e nënshkruar me Banken Evropiane për ndihmë financiare për riciklimin e mbeturinave”, ka shkruar në facebook, Ahmeti.

Kryeqyteti i Kosovës nuk ka qenë asnjëherë më i papastër se viteve të fundit. Kontejner të stërmbushur e anash tyre plotë mbeturina inerte, trotuare të pa pastra, e rrugica plot mbeturina. Kështu duket edhe sot Prishtina.

Krejt këto pamje të shëmtuara gjatë gjithë kohës po ia atribuon kompanisë Regjionale “Pastrimi”, duke thënë se e sabotoi politikisht meqë me të menaxhon drejtori Feim Salihu, i cili vjen nga LDK-ja.

Kompania Regjionale “Pastrimi”  është e mandatuar që të menaxhojë  vetëm me mbeturinat në shporta e kontejnerë, dhe jo me ato në qoshet e rrugëve, në trotuar, apo qoftë edhe ato ineret në afërsi të kontejnerëve. Pra, përgjegjësia mbi këtë kompani bije vetëm nëse kontejnerët nuk janë zbrazur më kohë.

Por, problemi i mbeturinave në kryeqytet është me ato jashtë kontejnerëve. Për të trajtuar këto mbeturina, Komuna e Prishtinës që disa vite angazhon operatorë privatë. Kështu ka vepruar edhe kryetari, Shpend Ahmeti.

Ljami.net ka nxjerr nga ueb-faqja e KRPP-së tenderët që Komuna ka realizuar për këto punë.

Në maj të vitit 2015, Zyra e prokurimit e Komunës së Prishtinës  ka realizuar tenderin “Mirëmbajtja verore e rrugëve dhe trotuareve të qytetit”, i cili ka qenë në vlerë prej 616 mijë euro.  Ky tender ka qenë kornizë me kohëzgjatje prej 36 muajve, pra ka validitet deri në maj të vit 2018.

Si i tillë ka qenë i ndarë në 4 pjesë. Pjesën e parë e ka fituar kompania “Zahiri”, me një çmim prej 186,844.08 eurove. Pjesën e dytë e ka fituar kompania “VZ Company”, me çmim prej 132,001.04 eurove. Pjesën e tretë e ka fituar kompania “Toifor”, me çmimë prej 149,822.55 eurove, dhe pjesën e katërt e ka fituar kompania Regjionale “Pastrimi”, më çmim prej 147,512 eurove. Pra, Komuna e ka shpërblyer “Pastrimin” me tender për një pjesë të vogël për pastrimin e trotuareve dhe larjen e asfalteve, dhe deri më tani Komuna nuk ka pasur ankesë në këtë marrëveshje, ngase, në të kundërtën, sipas ligjit mundë të prishet marrëveshja kontraktuale.

Ndërkohë, në korrik të vitit 2017, Zyra e Prokurimit e Komunës së Prishtinës ka nënshkruar kontratë për “Trajtimi i mbetjeve ndërtimore”. Pjesa e parë ka të bëjë me grumbullimin dhe deponimin e mbeturinave nga zonat urbane. Pjesa e dytë ka të bëjë me grumbullimin dhe deponimin e mbeturinave nga zonat rurale. Pjesa e tretë ka të bëjë me pastrimin e lokacioneve të kontejnerëve.

Pjesën e parë të tenderit e ka fituar kompania “N.P.N. “Dardania”, në vlerë prej 32.600,00 eurove, po ashtu edhe pjesën e dytë e ka fituar “Dardania”, në vlerë prej 34.000,00 euro. Pjesën e tretë, kompania “Toifor” Sh.p.k në vlerë prej 13.000,00 eurove. Lexo edhe (Këtu)./Lajmi.net/