Mbështetje Shoqatës së Autizmit
Agim Çeku premton vëmendje të posaçme të kategoritë e njerëzve me nevoja të veçanta, ku përfshihen edhe fëmijët me autizëm.
Lajme
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Kryetar të Prishtinës, Agim Çeku, ka vijuar fushatën e tij elektorale me një vizitë në Shoqatën e Autizmit në Prishtinë.
Çeku premtoi se me marrjen e pushtetit do t’i kushtojë vëmendje të posaçme të gjithë njerëzve me nevoja të veçanta, ku përfshihen edhe fëmijët me autizëm.
“Ju premtoj se Komuna e Prishtinës, me ndërrimin e qeverisjes pas 3 nëntorit, do t’ju qëndrojë pranë sidomos shoqatave që trajtojnë njerëz me nevoja të veçanta dhe juve si shoqatë që trajtoni fëmijët me autizëm”.
“Vlera e solidaritetit dhe humanizmit sikur ka filluar të zbehet dhe është duke u shuar, por unë si udhëheqës i Komunës së Prishtinës, së bashku me ekipin tim, do të mundohemi që këto vlera t’i kthejmë dhe bashkërisht t’i ndihmojmë personat me nevoja të veçanta në shoqërinë tonë”.
Kryetari i shoqatës, Cen Krasniqi, përmendi problemet që kanë jo vetëm prindërit e këtyre fëmijëve, por edhe shoqata, duke kërkuar që në të ardhmen shoqëria të jetë e mirë informuar për këtë dukuri.
“Mungon informimi i shoqërisë për ekzistencën e kësaj dukurie mes nesh. Kërkojmë nga ju dhe shoqëria në përgjithësi, që të ndikoni në informim të saktë, ngase nëse këta fëmijë diagnostikohen herët dhe trajtohen si duhet, ata mund të jenë edhe ndihmesë për shoqërinë”.